Maqedoni
Digjitalizimi në fokus të Forumit Ekonomik, Mickoski: Të ndërtojmë një ekonomi moderne
07.05.2026 17:00
Fuqia ekonomike nuk varet vetëm nga burimet, por edhe nga transformimi digjital...

Fuqia ekonomike nuk varet vetëm nga burimet, por edhe nga transformimi digjital, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski para afaristëve vendorë dhe gjermanë. Sipas tij, synimi është ndërtimi i një ekonomie të fortë dhe konkurruese në tregun evropian, përmes uljes së barrierave administrative, projekteve infrastrukturore dhe përmirësimit të klimës së biznesit.
“Qëllimi ynë është i qartë: të ndërtojmë një ekonomi moderne, efikase dhe konkurruese, e integruar në zinxhirët evropianë të vlerës dhe që krijon mundësi për kompanitë vendore, të rinjtë dhe gjeneratat e ardhshme. Gjermania për ne përfaqëson më shumë se një partner ekonomik. Ajo është simbol i fuqisë industriale, zhvillimit teknologjik, disiplinës, inovacionit dhe një modeli të qëndrueshëm ekonomik që prej dekadash krijon vlerë dhe përparim.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Vandelt: RMV-ja ka potencial të madh, nevojiten investime
Maqedonia ka potencial të madh, por nevojiten investime të vazhdueshme në inovacion, kualifikim dhe infrastrukturë digjitale, thotë Antje Vandelt, drejtoresha e Dhomës Gjermane të Tregtisë (AHK).
“Prandaj është shumë e rëndësishme, si për investitorët vendas ashtu edhe për ata ndërkombëtarë, të kemi një partner në politikë që do të na ofrojë një kornizë politike mbi të cilën mund të mbështetemi dhe të kemi besim. Zgjidhje pragmatike për të gjitha këto sfida, por edhe vazhdim të dialogut intensiv dhe të ngushtë ndërmjet ekonomisë dhe shtetit.”, - theksoi drejtoresha e AHK-së, Antje Vandelt.
Rreth 22% e eksporteve të vendit vijnë nga sektori i teknologjive informative dhe të komunikimit, duke e bërë Maqedoninë atraktive për investime. Vitin e kaluar, vendi ka importuar shërbime të teknologjisë informative dhe komunikimit në vlerë prej 197 milionë eurosh, ndërsa eksportoi 438 milionë euro.
ARMEND MURSELI
