Maqedoni

Demografia, strategji kundër rënies së popullsisë

07.05.2026 17:17

Investimi në kapitalin njerëzor, mbështetja për familjet dhe të rinjtë...

Investimi në kapitalin njerëzor, mbështetja për familjet dhe të rinjtë, shoqëria gjithëpërfshirëse dhe një mjedis i favorshëm për investimet nga diaspora janë katër shtyllat mbi të cilat mbështetet strategjia demografike e Qeverisë.
 
Strategjinë në fjalë u prezantua nga kryeministri Hristijan Mickoski në një konferencë rajonale për demografinë, duke theksuar se ajo synon arsim cilësor, shëndetësi të qasshme dhe kushte më të mira jetese, që qytetarët të ndërtojnë të ardhmen në vend.
 
“Jemi të vetëdijshëm se nataliteti i ulët, emigrimi dhe largimi i të rinjve dhe njerëzve të arsimuar janë çështje që nuk mund të zgjidhen brenda natës. Por, po ashtu jemi të vetëdijshëm se shteti nuk guxon të qëndrojë anash dhe t’i vëzhgojë pasivisht këto procese. Përcaktimi ynë është i qartë, në vend të politikës së frikës, ndërtojmë politikë të qëndrueshmërisë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.                                       
          
Tendencat negative demografike janë më të theksuara në Evropën Lindore, thotë ministri Limani. Në 30 vitet e fundit, popullsia atje është ulur me rreth një të tretën.
 
“Derisa Evropa po përballet me mungesë të fuqisë punëtore për shkak të plakjes së popullsisë, Azia Qendrore ka sfidën se si ta shfrytëzojë popullsinë e re që po rritet me shpejtësi, e cila në 25 vitet e ardhshme do të shtohet me 20 milionë njerëz në moshë pune. Këto realitete të ndryshme kërkojnë politika afatgjata dhe të guximshme, të orientuara drejt njerëzve, të bazuara në fakte, të drejta të njeriut dhe bashkëpunim rajonal.”, - theksoi ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani.
 
“Duhet të mbyllet hendeku mes realitetit jetësor të njerëzve dhe aspiratave të tyre përmes politikave dhe investimeve që bazohen në fakte, janë gjithëpërfshirëse dhe të mbështetura në të drejtat e njeriut.”, - u shpreh përfaqësuesi i Agjencisë së KB-së për Shëndet dhe Riprodhim, Pio Smith.
 
Analizat tregojnë se popullsia e Evropës do të ulet gradualisht. Sipas Eurostat-it, popullsia e BE-së do të rritet deri në vitin 2029, pastaj do të fillojë të ulet. Deri në fund të shekullit pritet rreth 50 milionë banorë më pak se sot.
 
ARMEND MURSELI