Maqedoni
UNT, dita e hapur dhe dita e karrierës
07.05.2026 17:34
Me qëllim të ngushtimit të distancës mes arsimit dhe realitetit profesional...

Me qëllim të ngushtimit të distancës mes arsimit dhe realitetit profesional në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup u organizua dita e hapur dhe dita e karrierës.
Rektori i UNT-së, Bekim Fetahi, me këtë rast theksoi se dita e hapur u drejtohet maturantëve të cilët vizitojnë universitetin për herë të parë, ndërsa dita e karrierës u dedikohet studentëve të cilët janë të orientuar drejt tregut të punës. Sipas tij, bashkëpunimi i UNT-së dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë Veripërendimore, është perspektivë e mirë dhe në favor të studentëve për mundësi të punësimeve.
“Oda Ekonomike përfaqëson një rrjedhë të konsoliduar të biznesit, që nëpërmjet kësaj iniciative hap mundësi konkrete për punësime dhe praktikë profesionale për studentët tanë. Maturantët nga shkolla e mesme kanë qasje te një softueri që e kemi krijuar dhe i cili i udhëzon në orientim në karrierën e tyre dhe për këtë softuer prezantime do të ketë në orën 12:00 në klasën 107 dhe të gjithë ata që duan ta testojnë veten dhe profilin e tyre në bazë të disa performancave, të cilat ato i kanë dhe në bazë të së cilave mund të zgjedhin profilin e tyre.”, - deklaroi rektori i UNT-së, Bekim Fetahi.
“Ne sot jemi këtu si Odë Ekonomike që t’i njoftojmë studentët se në çdo moment, sa herë që keni nevojë, derën e keni të hapur në Odën Ekonomike për çfarëdolloj bashkëpunimi, informimi ose ndihme që mund t’ju ofrojmë nëpërmjet donacioneve, të cilët i siguron buxheti i shtetit nëpërmjet rrjetit të institucioneve të tyre.”, - theksoi Nuhi Aliu nga Oda Ekonomike.
Ata njëherësh theksuan se këto aktivitete dëshmojnë angazhimin e Universitetit “Nënë Tereza“ për të qenë jo vetëm qendër e dijes dhe kërkimit shkencor, por edhe partner i besueshëm në ndërtimin e të ardhmes profesionale të studentëve.
VLORA LATIFI TOPOJANI
