Maqedoni
IN MEMORIAM
07.05.2026 17:51
Sot iu dha lamtumira e fundit doajenit të gazetarisë sportive, Sami Ademi...

Sot iu dha lamtumira e fundit doajenit të gazetarisë sportive, Sami Ademi, legjenda e komentimit që injektonte adrenalinën e fushës në ekranet e televizive, duke u bërë zëri i futbollit vendas dhe jehona e ngjarjeve të mëdha sportive botërore në shtëpitë shqiptare për 4 dekada.
Ai u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare pas vështirësive shëndetësore. Personalitete të larta të jetës publike, politike dhe sportive kanë ndarë dhimbjen dhe vlerësimet më të larta për kontributin gazetaresk të Sami Ademit, me rastin e ikjes së tij në amshim.
“Zëri i njohur për sportdashësit, ikona jonë, miku im Sami Ademi paska ikur në botën e përjetshme. Publiku humbi zërin e famshëm, ndërsa ne një njeri shembullor, pozitiv dhe të dashur për të gjithë! Prehu në paqe Sami!”, ka shkruar në faqen zyrtare kryeparlamentari, Afrim Gashi.
“Zëri që për dekada i tregoi ndeshjet tona, njeriu që e jetoi përfaqësuesen dhe ishte aty kur festohej dhe kur ishte më vështirë. Gazetar, komentator, kronist i një kohe që pa të do të tingëllojë më e heshtur.”, është shkruar në faqen zyrtare të FFM-së.
“Sami Ademi, zëri i të cilit për dekada ishte shenjë e njohur e ndeshjeve të përfaqësueses kombëtare të futbollit... Kolegu Ademi la gjurmë të thella në gazetarinë sportive përmes profesionalizmit, përkushtimit dhe pasionit të tij ndaj sportit dhe profesionit të gazetarit. Transmetimet dhe komentet e tij ishin pjesë e momenteve më të rëndësishme sportive që i kujton publiku maqedonas. Kontributi i tij në gazetarinë sportive maqedonase do të mbetet i paharruar përgjithmonë.”, thuhet në shkrimin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.
“Me rastin e ndarjes nga jeta të doajenit të gazetarisë sportive në vendin tonë, Sami Ademi, KF Shkëndija i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ademi, të afërmve dhe kolegëve të tij gazetarë. Klubi dhe Lazim Destani ndajnë dhimbjen duke nderuar kontributin e tij të çmuar në sferën e sportit e të gazetarisë.”, thuhet në shkrimin në faqen zyrtare të KF Shkëndija.
“Sot u nda nga kjo botë miku im i shtrenjtë, ikona e gazetarisë sportive dhe komentatori legjendar, Sami Ademi. Për plot 45 vite, ai jetoi me sportin dhe me ne sportistët. Ai komentoi dhe përcolli me pasion të jashtëzakonshëm shumë ndeshje sportive, duke lënë gjurmë të pashlyeshme me zërin dhe profesionalizmin e tij.”, ka shkruar ish-kampioni olimpik, Shaban Tërstena.
Kontributi i tij në gazetarinë sportive, por jo vetëm, mbetet një vulë e pashlyer në historinë e Televizionit të Maqedonisë dhe Servisit të dytë publik në gjuhën shqipe në veçanti. Kolegët dhe bashkëpunëtorët, e vlerësojnë kontributin e tij si bashkëthemelues i redaksisë së sportit në TVM2 dhe si një baba i gazetarisë për gjeneratat që erdhën me radhë.
“30 vite punë e përbashkët në Radio Televizionin e Maqedonisë, në Servisin e dytë programor nuk janë thjesht vetëm vite pune, por është një jetë e tërë, e ndërlidhur me emocione, me sakrificë, me kujtime dhe mbi të gjitha me respekt ndaj njëri-tjetrit. Me Samiun kemi ndarë edhe studiot televizive, gjithmonë njëri cep i studios ka qenë i rezervuar për informacionet nga sporti. Prandaj, thash që vepra e tij që ka lënë pas nuk shuhet. Ai u shua dhe shkoi në amshim, por vepra e tij do të jetë e pranishme.”, - u shpreh kryeredaktorja e TVM2, Merita Gashi.
“Ka qenë një udhërrëfyes i imi, por edhe i të gjithë kolegëve në redaksinë e sportit. Së bashku e kemi themeluar këtë redaksi që sot e gëzojmë të gjithë ne. Samiu pa hezituar ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, i cili ka qenë për mua një mësues, ndërkaq nga ai kam mësuar shumë. Por, ai ishte një njeri modest, i cili asnjëherë nuk ndalej dhe ishte një njeri që dinte ta thurë fjalën e bukur, thjesht thënë, ishte njeri i penës. Përveç gazetarisë sportive, ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në zhanret tjera.”, - theksoi redaktori i redaksisë sportive, Denis Shabani.
“Humbja e tij nuk do të thotë vetëm humbje për TVM2, do të thotë shumë për sportin, për gazetarinë sportive në Maqedoni e gjetiu, sepse ai arriti që të bëjë një sërë emisionesh, të cilat do të mbeten dokumente të pashlyera për arritjet e sportistëve shqiptarë në Maqedoni, por edhe më gjerë.”, - u shpreh bashkëpunëtori, Safet Ademi.
Nga viti 1988 kur u punësua në Televizionin e Maqedonisë, Sami Ademi ka komentuar mbi 2.000 ndeshje te futbollit nga vendi i ngjarjes, ka realizuar emisione dhe kronika te shumta, për aktivitete sportive brenda dhe jashtë vendit.
Vite me radhë ishte redaktor përgjegjës i redaksisë së sportit. Realizoi 1.000 komentime nga kampionate botërore, samitet kontinentare evropiane, lojërat olimpike, ligën e kampionëve. Sami Ademi u pensionua në vitin 2022.
Nevoja për kontributin e tij të pazëvendësueshëm e riktheu atë sërish në ekranin e TVM2 deri në momentet e fundit të jetës, ku punoi me përkushtimin dhe entuziazmin e njëjtë.
“Po ndahem vetëm fizikisht, por kurrsesi shpirtërisht nga ju. Ju dua, ju dua dhe prapë ju dua, ngase më deshët aq shumë mua. Lamtumirë Televizioni i Maqedonisë, program në gjuhën shqipe, vetëm përkohësisht. Do Zoti i madh një ditë të takohemi atje lartë dhe të bisedojmë për gjëra të bukura. Hasta la vista nga Sami Ademi, na ishte një gazetar televiziv, i cili aq shumë e deshi këtë profesion.”. (Lamtumira me publikun në ditën e pensionimit - Sami Ademi)
Lamtumirë njeriu i qeshur, lamtumirë zëri i paharrueshëm i ekranit!
ARLINDA BAFTIU
