Botë

Tiranë, u helmuan 56 studentë të Akademisë së Sigurisë

07.05.2026 18:42

56 studentë të Akademisë së Sigurisë janë paraqitur në spital me simptoma të helmimit...

56 studentë të Akademisë së Sigurisë janë paraqitur në spital me simptoma të helmimit që dyshohet se ka ndodhur nga ushqimi që kanë konsumuar dje në drekë. Ata kanë marrë serume dhe janë kthyer në konflikt, ndërsa dy prej tyre janë shtruar në spital në Tiranë.
 
Akademia ka një kontratë me një kompani private që ofron shërbimin katering për studentët. Deri tani, për rastin, Policia ka arrestuar dy persona nga kompania, ndërsa ka shpallur në kërkim pronaren. Administratori i Akademisë së Sigurisë tha se deri më tani nuk kanë pasur probleme të tilla.
 
“Ushqimi është i standardeve shumë të mira, mund të ketë pasur ankesa për punën e llojshmërisë, por që ushqimi është jashtëzakonisht i mirë. Ne nuk kemi pasur asnjë moment helmimi, deri sot që flasim. Kemi njoftuar menjëherë institucionet, AKU-në dhe Shëndetin Publik, i cili ka marrë mostrat, sepse ushqimi këtu vjen në formë kateringu dhe këtu mbajmë edhe mostrat, kemi komision që e pret bashkë me mjekun dhe i mbajmë të ruajtura 24 orë për raste kur ndodhin këto lloj incidentesh.”, - deklaroi administratori i Akademisë së Sigurisë, Milton Nushi.
 
Pas ngjarjes autoriteti kombëtar i ushqimit kreu inspektime në ambientet e kompanisë së cilës i vendosi dy gjoba. Deri në fund të vitit 2025, kompania “Sori-Al” rezulton si fituese e 75 tenderëve publikë, me vlerë miliarda lekë.
 
LULJETA NDOKA