VLEN-i nis një kapitull të ri, Mexhiti: Shkrihemi në një zë të vetëm

08.05.2026 15:27

Pas më shumë se një dekade aktivizëm politik, Izet Mexhiti...

Pas më shumë se një dekade aktivizëm politik, Izet Mexhiti thotë se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po lënë pas periudhën e përçarjeve dhe monopoleve politike. Sipas tij, suksesi në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale dëshmoi se bashkimi është rruga e vetme për progres.

Ai theksoi se VLEN mbetet i hapur për intelektualë dhe ekspertë, por edhe për partitë që duan t'i bashkohen këtij vizioni.

"VLEN-i është imperativ i kohës që të jetë një, të flasë me një zë... Mendoj që këtë e rrumbullaksojmë në ditën e nesërme. Është një fillim i ri, një kapitull i ri, ku shqiptarët do të kenë konkurrencë në ide, program e platformë. Këtu nuk mbaron, VLEN-i do jetë i hapur edhe për intelektualë të pavarur, ekspertë, por edhe për subjekte që për momentin nuk janë me BDI-në.", - deklaroi Izet Mexhiti nga VLEN.

I pyetur për mundësinë e largimeve gjatë procesit të konsolidimit, Mexhiti ishte i prerë: nuk bëhet fjalë për largime, por për shkrirje në një strukturë më të fuqishme. Ai shtoi se modeli i bashkëkryetarëve është një risi që po sillet për herë të parë në skenën politike shqiptare këtu, duke u bazuar në modelet më të suksesshme perëndimore.

"Nuk ka largim, ka shkrirje në VLEN. VLEN-i do jetë me një zë dhe kjo nuk ka të bëjë me individë. Po vendosim një model të ri demokratik me bashkëkryetarë, që nuk e ka njohur kjo hapësirë, por e njohin shtetet evropiane. Është Kongresi i Bashkimit, kongres i vlerave të reja evropiane, prandaj edhe mbahet më 9 maj.", - theksoi Izet Mexhiti nga VLEN.

Përndryshe ky proces pritet të kulmojë me zyrtarizimin e strukturave të reja të shtunën, kur është paralajmëruar edhe kongresi i parë i VLEN-it. (Ersan Pajaziti, TVM2)