Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, do të marrin pjesë 22 parti dhe 3 koalicione
Nga 53 partitë politike të regjistruara në Kosovë...

Nga 53 partitë politike të regjistruara në Kosovë, brenda afatit që ishte paraparë deri në mesnatën e së enjtes për t’u regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, janë regjistruar 22 parti dhe 3 koalicione zgjedhore, të përbëra nga 9 parti politike, përfshi Lëvizja Vetëvendosje të Albin Kurtit.
“Lëvizja Vetëvendosje!, Partia Guxo, Partia Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane kanë arritur marrëveshje koalicioni, duke riafirmuar përkushtimin e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit politik dhe institucional në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik.
Kjo marrëveshje bazohet mbi vlerat e demokracisë, transparencës, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, drejtësisë sociale dhe forcimit të shtetit të Kosovës.”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
LDK-ja ka njoftuar se do të përfshijë në listën e saj edhe ish-presidenten Vjosa Osmani. Ndërsa PDK dhe AAK do të garojnë të vetme. Po ashtu, në këto zgjedhje do të garojë edhe Partia Socialdemokrate e Dardan Mulliqajt.
KQZ-ja është njoftuar se 9 parti nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, përfshi Nismën, e Fatmir Limajt, e cila nuk e kaloi pragun në zgjedhjet e 28 dhjetor të vitit të kaluar.
Subjektet politike dhe koalicionet kanë kohë deri më 12 maj për t’i dorëzuar online listat me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në këto zgjedhje. Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajsh, pas atyre në shkurt dhe 28 dhjetorit 2025.
Thaçi: Është koha që presidenti të zgjidhet nga qytetarët
Te zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë erdhi për shkak të dështimit të partive politike që ta zgjedhin presidentin e shtetit. Rreth kësaj çështjeje është përgjigjur edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili aktualisht ndodhet në Hagë.
Thaçi për TV Klan ka deklaruar me shkrim se zgjedhja e presidentit do të duhej të bëhet drejtpërdrejtë nga qytetarët.
“Mendoj që ka ardhur koha që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përndryshe vazhdimisht do të ketë krizë qeveritare. Kërkohen ndryshime kushtetuese, patjetër duhet të pajtohen edhe komunitetet. Kosova dhe Shqipëria janë vendet e fundit në rajon që presidentin e zgjedhin nga Parlamenti.”, vlerëson ish-presidenti, Hashim Thaçi.
