Lindja e Mesme, përshkallëzim tensionesh mes ShBA-së dhe Iranit në Hormuz

08.05.2026 16:15

Situata në Lindjen e Mesme...

Situata në Lindjen e Mesme u përshkallëzua pas shkëmbimit më të fundit të zjarrit mes ShBA-së dhe Iranit dhe akuzave të ndërsjella për sulmet. Uashingtoni pretendon se bëhet fjalë për vetëmbrojtje, pasi është hapur zjarr ndaj anijeve të tij.

“Forcat amerikane kanë interceptuar sulme iraniane të paprovokuara dhe kanë reaguar në vetëmbrojtje, ndërsa shkatërruesit e Marinës amerikane me raketa të drejtuara po kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit drejt Gjirit të Omanit.”, - thuhet në njoftimin e Komandës Qendrore të ShBA-së.

Teherani pretendon se forcat amerikane kanë sulmuar një tanker iranian dhe kanë kryer sulme ajrore pranë Ngushticës së Hormuzit, si dhe në Bandar Hamir, Sirik dhe ishullin Keshm, duke akuzuar ShBA-në për shkelje të armëpushimit.

“Pas sulmit të agresorëve ushtarakë amerikanë ndaj një tankeri iranian të naftës, njësitë armike në Ngushticën e Hormuzit u vunë nën zjarr raketor iranian dhe, pasi pësuan dëme, u detyruan të tërhiqen.”, - theksoi prezantuesi i Televizionit Shtetëror Iranian, Irib.

Donald Tramp deklaroi se armëpushimi mbetet në fuqi, por paralajmëroi pasoja, nëse Irani nuk nënshkruan marrëveshje.

“Ne nuk duhej ta bënin këtë, por ishim të përgatitur. Çdo raketë dhe dron u rrëzua. Ata luajtën me ne, por ne i zhgënjyem. Nëse nuk ka armëpushim, nuk do t’ju them – do të shihni vetëm një shkëlqim të madh që vjen nga Irani. Më mirë ta nënshkruajnë shpejt marrëveshjen ose do të kenë shumë telashe. Plani është i thjeshtë – Irani nuk mund të ketë armë bërthamore dhe nuk do t’i ketë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Irani po shqyrton propozimin amerikan për ndërprerjen e konfliktit, por ende nuk ka marrë vendim përfundimtar.

“Sapo të finalizojmë përgjigjen tonë, ajo do t’i përcillet ndërmjetësuesit pakistanez dhe në bazë të saj do të vendosen hapat e ardhshëm.”, - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei.

ShBA-ja dhe Bahreini në OKB kanë propozuar një rezolutë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe lirinë e lundrimit.

“Ne besojmë në lirinë e lundrimit për të gjitha ekonomitë botërore. Ajo është themel i stabilitetit dhe tregtisë globale.”, - deklaroi ambasadori i ShBA-së në OKB, Majk Ualtz.

Irani e ka refuzuar propozimin si “të pasaktë” dhe “politikisht të motivuar”, por thotë se është i gatshëm për liri lundrimi, nëse hiqet bllokada dhe përfundon konflikti.

“Qëndrimi i Iranit është i qartë: zgjidhja e vetme është fundi i luftës, heqja e bllokadës detare dhe kthimi i kalimit normal.”, - theksoi përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani.

Tensionet në rajon vazhdojnë të rriten pavarësisht sinjaleve se konflikti mund të përfundojë së shpejti. Ndërkohë, Shtetet Arabe raportojnë sulme me raketa dhe dronë nga Irani. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)