Maqedoni
Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave, mbrojtja e grave nga dhuna të bëhet prioritet
08.05.2026 16:49
Për të pasur një sistem që vërtet i mbron gratë nga dhuna...

Për të pasur një sistem që vërtet i mbron gratë nga dhuna dhe u ofron strehë e siguri, Maqedonisë së Veriut i duhen rreth 7 milionë euro në vit. Kjo është shifra që aktivistët dhe ekspertët i kanë vënë sot para Qeverisë, duke numëruar nevojat emergjente që nga linjat SOS e deri te qendrat për viktimat e dhunës seksuale.
“Nëse duam të krijojmë një sistem plotësisht funksional, i cili do të përfshijë një linjë kombëtare SOS, që do të mbulojë 10 qendrat e referimit për përdhunimet, do të sigurojë mbështetje afatgjatë psiko-sociale për viktimat e përdhunimit, do të sigurojë të paktën 28 strehimore, 19 këshillimore dhe ndihmë juridike falas për viktimat. Kjo do të kushtojë rreth 7 milionë euro në vit.”, - deklaroi Katerina Shapkova Kocevska nga Fakulteti Juridik “Justiniani i Parë”.
Por, a mungojnë këto para në arkën e shtetit? Sipas organizatave, mjetet ekzistojnë, por ajo që mungon është vullneti politik për t’i radhitur gratë dhe jetën e tyre në krye të listës së prioriteteve.
“Që i kemi këto para, absolutisht i kemi. Se a do të ndahen dhe alokohen për këtë qëllim, varet nëse Qeveria jonë – kjo aktualja, me shpresë kjo– do të vendosë që dhuna ndaj grave është prioritet për të cilin duhet të përcaktojë mjete.”, - deklaroi Elena Dumushevska nga Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave.
Kjo kërkesë nuk vjen si një dëshirë e shoqërisë civile, por si një detyrim ligjor që shteti e ka marrë përsipër përmes ratifikimit të Konventës së Stambollit. Mosndarja e këtyre mjeteve, sipas tyre, nuk është thjesht kursim, por diskriminim i drejtpërdrejtë institucional.
“Nuk është çështje dëshire, thjesht shteti e ka për detyrë. Shteti i ka marrë këto obligime me ratifikimin e Konventës së Stambollit dhe me miratimin e Ligjit për parandalimin e dhunës ndaj grave. Dhe fakti që shteti nuk i përmbush këto obligime, do të thotë se po ushtron diskriminim.”, - theksoi avokatja, Neda Çallovska.
Nga Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave theksojnë se qindra viktima mbeten pa mbështetjen e nevojshme psikosociale dhe pa strehë të sigurt mbi kokë.
BELINDA KOKA ADEMI
