Maqedoni
Filipçe uron Radevin, VMRO kritikon Filipçen për servilosje
08.05.2026 17:33
Socialdemokratët urojnë kryeministrin e ri të Bullgarisë, Rumen Radev...

Socialdemokratët urojnë kryeministrin e ri të Bullgarisë, Rumen Radev, për ardhjen në detyrë. Kryetari i partisë, Venko Filipçe, ka rikujtuar Radevin për ruajtjen e interesave kombëtare maqedonase, por nuk ka kursyer kritika për kryeministrin Mickoski, duke e cilësuar si pengesë për zhblokimin e rrugës evropiane, si opsion i vetëm për vendin.
“Fatkeqësisht, në Maqedoni ekziston një grup kriminal, i udhëhequr nga Hristijan Mickoski, e cila po bllokon me vetëdije rrugën evropiane të vendit dhe po krijon konflikte artificiale me fqinjët e tij, me qëllim mbrojtjen e sistemit të tij të korruptuar. Ne besojmë se përmes dialogut konstruktiv, pa shkelur vijat e kuqe, duke respektuar identitetin tonë kombëtar dhe parimet evropiane, mund të kapërcejmë të gjitha çështjet e hapura dhe të përshpejtojmë rrugën evropiane të të gjithë rajonit.”, shkruan Filipçe në platformën X.
Kjo nxiti reagime në pallatin e bardhë. VMRO-DPMNE konsideron se Filipçe i serviloset Bullgarisë, duke u treguar i gatshëm për tradhti të ardhshme kombëtare.
“Filipçe vazhdimisht deklaron se është gati për ndryshime kushtetuese menjëherë, pa garanci se kjo do të ishte pengesa e fundit për Maqedoninë. Planin e Zoran Zaevit për të shkatërruar Maqedoninë për një ditë më shumë në pushtet, tani Venko Filipçe dëshiron ta vazhdojë, duke u servilosur me qëllim përmbushjen e agjendave të vendeve të tjera. LSD-ja pranoi gjithçka që u vu në tryezë, dhe kështu arriti të bllokojë kornizën negociuese për BE-në.”, - u shpreh Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: VMRO kërcënon identitetin maqedonas
Kanë reaguar nga LSDM, duke e cilësuar si gënjeshtar kryeministrin Mickoski se do të shfuqizojë Marrëveshjen e Prespës dhe do të shqyrtojë Kushtetutën, për të cilat nuk ka ndryshime. LSDM-ja kundërshton konflikte të qëllimshme me Bullgarinë dhe thonë se identiteti maqedonas kërcënohet nga VMRO-ja.
“Cilën kushtetutë po kontrolloni? Atë maqedonas apo bullgar? Kjo është gënjeshtra. Kjo është fytyra e vërtetë e VMRO-DPMNE-së. Kjo është partia që shfrytëzon patriotizmin për qëllime populiste, ndërkaq në prapavijë nxjerrin pasaporta bullgare. Ky është manipulim për mbajtjen e fuqisë dhe mbrojtjen e krimit.”, - theksoi Andrej Zhernovski nga LSDM.
Patriotizmi i rrejshëm, sipas LSDM-së, i rrënon pozicionet e Maqedonisë. Ata propozojnë ligj të ri për korrupsionin, e cila do të zgjidhë të gjitha problemet.
MERAL ISMAILI
