Maqedoni
RMV-ja nënshkruan konventën për IA të Këshillit të Evropës, Filkov: Inteligjenca Artificiale duhet të respektojë të drejtat e njeriut
08.05.2026 17:47
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës...

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, sot në Qeveri nënshkruan Konventën Kornizë për Inteligjencën Artificiale të Këshillit të Evropës, instrumenti i parë ndërkombëtar detyrues, që vendos parime dhe standarde të qarta për zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.Filkovi deklaroi se korniza juridike, avancimi i të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit duhet të ecin me ritmin e zhvillimit të shpejtë teknologjik dhe se Konventa paraqet një hap historik në këtë drejtim.
“Çfarë do të thotë kjo për Republikën e Maqedonisë së Veriut? Para së gjithash, do të thotë se po vendosim garanci të qarta që inteligjenca artificiale do të përdoret në mënyrë që respekton dinjitetin njerëzor, barazinë dhe mosdiskriminimin. Qytetarët do të kenë mbrojtje më të madhe të privatësisë dhe të të dhënave personale, si dhe qasje në mjete juridike efektive nëse të drejtat e tyre shkelen.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
Alain Berset: IA duhet t’i shërbejë njerëzimit, jo ta rrezikojë atë
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, gjatë nënshkrimit theksoi se Maqedonia e Veriut është vendi i 46-të që i bashkohet Konventës, gjë që konfirmon se inteligjenca artificiale duhet t’i shërbejë njerëzimit.
“Miratimi është vetëm fillimi, tani prioritet do të jetë ratifikimi dhe zbatimi. Ndodhemi në mes të një revolucioni teknologjik, të nxitur nga teknologjitë digjitale, ku inteligjenca artificiale po zhvillohet me shpejtësi – më shpejt se mekanizmat mbrojtës demokratikë. Inteligjenca artificiale tashmë po formëson mënyrën se si marrim vendime, institucionet dhe besimin, dhe përgjigjja nuk është t’i rezistojmë këtij transformimi. Detyra jonë është ta bëjmë inteligjencën artificiale të përgjegjshme dhe në përputhje me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Këtë mesazh e dërgon sot Maqedonia e Veriut.”, - theksoisekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset.
Konventa u mundëson shteteve t’i përshtatin masat sipas sistemeve të tyre juridike dhe institucionale, duke respektuar standardet universale. Nënshkrimi forcon bashkëpunimin ndërkombëtar, shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të mira për menaxhimin e sigurt të teknologjive të reja.
E miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj 2024 dhe e hapur për nënshkrim më 5 shtator 2024, Konventa deri tani është nënshkruar nga BE-ja, ShBA-ja dhe disa shtete evropiane e partnere ndërkombëtare.
ARMEND MURSELI
