Botë
Bullgari, formohet Qeveria e re, Rumen Radev premton stabilitet dhe reforma
08.05.2026 18:09
Bullgaria ka formuar Qeverinë e re të udhëhequr nga Rumen Radevi...

Bullgaria ka formuar Qeverinë e re të udhëhequr nga Rumen Radevi, ish-president dhe kryetar i partisë “Bullgaria Progresive”. Kabineti u miratua në Kuvendin Popullor me 124 vota pro, 70 kundër dhe 36 abstenime, duke shënuar fillimin e një etape të re politike pas një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie dhe krizash parlamentare. Radevi premtoi masa për stabilitet ekonomik, ulje të çmimeve dhe përshpejtim të fondeve nga plani evropian për zhvillim.
“Prej të hënën do të propozoj projekte të reja ligjore për çështjen më të rëndësishme për qytetarët bullgarë, rritjen galopante të çmimeve. Pres debat të plotë dhe zgjidhje të shpejta, sepse njerëzit presin masa konkrete nga ne. Të hënën do të dorëzojmë edhe propozimin tonë për ndryshime në Ligjin për Administrimin e Pronës. Fillimisht duhet të ndryshojmë ligjin, e më pas të nisim procedurën për zgjedhjen e Këshillit të ri të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit.”, - deklaroi kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev.
Kabineti i ri është strukturuar me katër zëvendëskryeministra dhe 18 ministri. Ministre e Punëve të Jashtme është emëruar Velislava Petrova Çamova.
“Është paraqitur një kabinet i përbërë nga një ekip kompetent me profesionalizëm të dëshmuar. Të gjithë personat janë ekspertë me kapacitet real për sektorët që do të udhëheqin.”, - theksoi Konstantin Prodanov nga “Bullgaria Progresive”.
Nga partia “Bullgaria Demokratike”, e cila votoi kundër këtij kabineti, thonë se çdo votë “pro” nënkupton përgjegjësi të përbashkët. Radevi pret opozitë konstruktive dhe propozime alternative.
“Ne do të jemi korrigjuesi më i rreptë nëse devijoni nga rruga e drejtë, por do të keni edhe mbështetjen tonë për një Bullgari të lirë dhe evropiane.”, - u shpreh Jordan Ivanov nga “Bullgaria Demokratike”.
Në strukturën qeveritare parashihet edhe ristrukturim i resorëve, veçanërisht në fushën e ekonomisë, industrisë, inovacionit dhe transformimit digjital.
Rumen Radev, ish-pilot luftarak, i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse dhe skepticizmin ndaj politikave të Bashkimit Evropian dha dorëheqje nga posti i presidentit për të hyrë në garën parlamentare, me premtimin për stabilitet politik dhe luftë kundër korrupsionit pas viteve të krizave qeveritare në vend.
FARIJE DAUTI BAKIU
