Botë
Kruizeri holandez mbërrin në Tenerife pas përhapjes së virusit Hanta
10.05.2026 16:10
Kruizeri holandez që lundronte nëpër Atlantik dhe u gjend në qendër të vëmendjes për shkak të epidemisë së virusit Hanta ka mbërritur në Tenerife...

Kruizeri holandez që lundronte nëpër Atlantik dhe u gjend në qendër të vëmendjes për shkak të epidemisë së virusit Hanta ka mbërritur në Tenerife. Policia ushtarake spanjolle dhe ekipet e reagimit ndaj katastrofave i pritën të parët 147 pasagjerët, që në një operacion ndërkombëtar të organizuar me kujdes po kthehen në vendet e tyre amë.
“Grupi i parë i evakuuar janë shtetas spanjollë. Holanda do t’i transportojë shtetasit e Gjermanisë, Belgjikës, Greqisë dhe një pjesë të ekuipazhit. 23 vende janë të përfshira në këtë operacion. Fluturimi i fundit i gjithë operacionit është planifikuar për nesër; do të jetë fluturimi nga Australia që do të transportojë 6 persona, përfshirë shtetas të Australisë dhe Zelandës së Re, si dhe disa persona nga rajoni aziatik.”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë e Spanjës, Monica Garcia.
Sipas autoriteteve shëndetësore, pasagjerët e anijes luksoze “Hundius” nuk kanë treguar shenja infeksioni, por konsiderohen kontakte me rrezik të lartë si masë parandaluese, pasi është detektuar një variant i rrallë anglez. Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se 8 persona janë sëmurë gjatë udhëtimit. Janë regjistruar 3 raste vdekjeje: një çift bashkëshortësh nga Holanda dhe një shtetas i Gjermanisë. Tek 6 persona është konfirmuar prania e virusit Hanta, ndërsa dy raste mbeten të dyshuara.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme të përcaktohet që askush në kruizer nuk ka simptoma. Gjëja tjetër është se atmosfera në anije është e mirë; të gjithë janë vërtet të gëzuar që do të mund të kthehen në shtëpi.”, thotë ambasadori holandez në Spanjë, Roel Nieuvenkamp.
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili udhëtoi në Ishujt Kanarie në mbështetje të operacionit, theksoi se virusi nuk duhet të barazohet me Covid-in. Banorët e pakënaqur protestuan dhe kërkuan që t’u garantohet siguria shëndetësore.
“Shqetësimi është i arsyeshëm, sepse të gjithë e kemi përjetuar COVID-in, veçanërisht në vitin 2020, dhe ajo traumë ende është në mendjet tona. Njerëzit do të kenë pyetje dhe shqetësime, dhe kjo është ajo që po përpiqem t’u përgjigjem në mesazhin tim për banorët e Tenerifes: ju dëgjojmë, ju kuptojmë, por situata tani është shumë më e mirë, dhe një përparësi tjetër është edhe natyra e sëmundjes.”, u shpreh drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Virusi Hanta zakonisht përhapet përmes kontaktit me brejtësit, por në raste jashtëzakonisht të rralla është e mundur edhe transmetimi nga njeriu te njeriu.
VLORA LATIFI TOPOJANI
