Maqedoni
Ngecja në eurointegrim, akuza partiake, Flipçe: Bullgarët në kushtetutë, nuk rrezikojnë
10.05.2026 16:40
Filipçe sërish thotë se përfshirja e bullgarëve në aktin më të lartë juridik nuk rrezikon identitetin maqedonas...

Kreu i LSDM-së Venko Filipçe sërish thotë se përfshirja e bullgarëve në aktin më të lartë juridik nuk rrezikon identitetin maqedonas. Shton se identiteti kombëtar maqedonas rrezikohet nga krimi dhe korrupsioni ndërkaq Hristijan Mickoski dhe grupi i tij kriminal qëllimisht duan ta izolojnë vendin nga Evropa, për të ruajtur bandën e tyre kriminale në pushtet. Sipas Filipçes, vazhdimi i rrugës evropiane nënkupton zbatimin e ligjeve evropiane dhe drejtësi, nënkupton një prokurori publike evropiane para së cilës nuk do të mund të komandojnë as nga foltorja parlamentare, e as përmes paraqitjeve të tyre publike televizive. Do të thotë fund i tenderëve të kurdisur, i grabitjes partiake të parave shtetërore, publike dhe qytetare, thonë nga LSDM-ja opozitare.
“Përfshirja e pakicave në Kushtetutë me qëllim që të respektohen të drejtat e tyre nuk është rrezikim i identitetit kombëtar maqedonas. Përkundrazi, kjo është forcim i identitetit tonë kombëtar. Kur pakicat janë të përcaktuara dhe të garantuara me aktin më të lartë juridik të shtetit, kjo nuk na dobëson, por na bën më të fortë dhe e forcon kohezionin në shoqëri. Shteti i fortë ndërtohet me përfshirje, jo me përjashtim. E vetmja gjë që është realisht e rrezikuar nga ndryshimet kushtetuese është grupi kriminal i VMRO-së dhe Hristijan Mickoski personalisht.”, u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Manasievski: LSDM e gatshme të tregtojë identitetin
Nga VMRO-ja akuzojnë Filipçen se po ndjek gjurmët e Zaevit dhe se është i gatshëm të përmbushë kërkesat bullgare në dëm të Maqedonisë. Në këto rrethana, kur nevojitet një dënim i qartë dhe një qëndrim i fortë në mbrojtje të interesave maqedonase, Venko Filipçe zgjodhi rrugën e kundërt, rrugën kundër kombit maqedonas dhe pro-bullgarë, deklarojnë nga VMRO-DPMNE-ja.
“Venko Filipçe sërish dëshmoi se është i gatshëm të vazhdojë politikën e Zoran Zaevit, që është politikë e lëshimeve ndaj Bullgarisë dhe pranimit të kërkesave që prekin drejtpërdrejt interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase. Kryeministri i ri i Bullgarisë, Rumen Radev, nuk është faktor i panjohur në politikën bullgare. Qëndrimet e tij ndaj Maqedonisë, gjuhës maqedonase, popullit maqedonas, identitetit dhe historisë janë të njohura mirë. Ai edhe më parë ka treguar qartë se Bullgaria nuk ka ndërmend të tërhiqet nga pozicionet e saj, as të heqë dorë nga kushtëzimet ndaj Maqedonisë. Përkundrazi, është e qartë se Sofja zyrtare do të vazhdojë me presione dhe bllokada sa herë që t’i përshtatet.”, u shpreh Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Sipas partisë më të madhe në pushtet, socialdemokratët dërgojnë një mesazh të qartë se nëse vijnë pushtet, do t’i zbatojnë ndryshimet kushtetuese dhe do të pranojnë politika në përputhje me kërkesat e Bullgarisë, do të ketë dorëzim, lëshime dhe tregti me çështjet më të rëndësishme kombëtare.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
