Botë
Sulmi rus në Harkiv, pesë të plagosur, sfidohet armëpushimi 3 ditor
10.05.2026 17:37
Një dron rus goditi një ndërtesë banimi shumëkatëshe në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës...

Një dron rus goditi një ndërtesë banimi shumëkatëshe në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, thanë autoritetet, duke plagosur të paktën pesë persona dhe duke sfiduar armëpushimin treditor të shpallur për kremtimet e Ditës së Fitores.
Sulmi ndaj ndërtesës në Harkiv ndodhi vonë më 9 maj, disa orë pas përfundimit të paradës vjetore të Rusisë në Sheshin e Kuq. Ngjarja, e cila ishte dukshëm më e kufizuar krahasuar me vitet e kaluara, u zhvillua mes kërcënimeve të tërthorta nga Ukraina për ta penguar atë dhe kërcënimeve të hapura e të zemëruara nga Moska për hakmarrje ndaj Kievit. Autoritetet ukrainase thanë se dhjetera dronë rusë u vërejtën mbi Ukrainë gjatë natës. Zyrtarët rusë, ndërkaq, raportuan për gati 100 dronë ukrainas mbi rajonin e Kurskut, që kufizohet me Ukrainën.
Armëpushimi është paraparë zyrtarisht të përfundojë më 11 maj. Këshilltari i Kremlinit për politikë të jashtme, Juri Ushakov, u tha gazetarëve se nuk ka diskutime në vazhdim për ta zgjatur armëpushimin. Po ashtu, tha Ushakov, nuk ka plane për rifillimin e bisedimeve të paqes, të cilat Shtetet e Bashkuara kanë shtyrë përpara. Bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës së plotë, tashmë në vitin e saj të pestë, kanë ngecur pjesërisht për shkak të kërkesave të ashpra të Rusisë, të cilat përfshijnë tërheqjen e trupave ukrainase nga territoret në rajonin lindor të Donbasit që ato ende i kontrollojnë.
