Botë
Konjufca: Kosova kërkon trajtim të barabartë e të drejtë nga BE-ja
11.05.2026 13:59
Konjufca ka deklaruar se Kosova kërkon trajtim të barabartë dhe të drejtë nga Bashkimi Evropian...

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova kërkon trajtim të barabartë dhe të drejtë nga Bashkimi Evropian, ndërsa, siç tha ai, vendi është i gatshëm të ecë përpara brenda një procesi meritokratik. Procesi nënkupton që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE, tha Konjufca, para fillimit të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.
“Ne duam të kemi një trajtim të barabartë dhe të drejtë nga BE-ja. Ne si Kosovë jemi gati të lëvizim dhe të avancojmë brenda këtij kuadri të procesit bazuar në merita. Në të njëjtën kohë, ajo që mendojmë është se çfarë do të thotë në të vërtetë ky proces, bazuar në merita është që Kosova të ketë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca.
Kallas: Zgjedhjet e shpeshta, pengesë për vazhdimin e dialogut
Sa i përket dialogut me Serbinë, Konjufca theksoi se Kosova ka qenë gjithmonë konstruktive por dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Ndërkohë përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka deklaruar se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore për mungesën e një rundi të ri të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në nivel liderësh. Por, Kallas tha se ekziston gatishmëri nga të dyja palët për takime në kuadër të dialogut, si nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
“Ne, në fakt, kishim planifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës - dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve - nga Kosova dhe nga Serbia, por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin. Unë, megjithatë, po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi.”, - theksoi përfaqësuesja e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në shtator të vitit 2023, ndërsa Kallas e mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së në dhjetor të vitit 2024 dhe deri më tani nuk ka udhëhequr asnjë raund bisedimesh mes të dyja palëve.
GYLTENE SINANI
