Botë
Irani i propozon plan paqeje ShBA-së, Trampi e hedh poshtë si “plotësisht të papranueshëm”
11.05.2026 14:28
Çmimet e naftës vijuan rritjen në tregjet aziatike pas tensioneve të reja mes ShBA-së dhe Iranit...

Çmimet e naftës vijuan rritjen në tregjet aziatike pas tensioneve të reja mes ShBA-së dhe Iranit. Reagimi erdhi pasi presidenti amerikan Donald Tramp hodhi poshtë në mënyrë kategorike “Planin e Paqes” të propozuar nga Teherani, duke e cilësuar atë si “plotësisht të papranueshëm”. Edhe pse Trampi nuk dha detaje mbi përmbajtjen e propozimit iranian, ai paralajmëroi se mungesa e një marrëveshjeje të shpejtë mund të çojë në një përshkallëzim të ri ushtarak në rajon.
“Sapo lexova përgjigjen nga të ashtuquajturit ‘përfaqësues’ të Iranit. Nuk më pëlqen. Plotësisht e papranueshme!”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Nga ana tjetër, Irani reagoi duke deklaruar se do të vazhdojë të mbrojë interesat e tij kombëtare dhe se nuk kërkon “kënaqësinë e të tjerëve”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane akuzoi ShBA-në për mungesë serioziteti në proceset diplomatike dhe për shkelje të vazhdueshme të premtimeve ndërkombëtare, duke përmendur edhe tërheqjen amerikane nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.
“Ne do të luftojmë sa herë që të jetë e nevojshme. Kurdo që ta shohim të arsyeshme, do të përdorim armën e diplomacisë për të përmbushur interesat e kombit iranian; nuk na intereson kënaqësia e të tjerëve. Proceset diplomatike kanë rregullat e tyre. Ndërsa pala tjetër duhet të dëshmojë seriozitet dhe respektim të premtimeve në proceset diplomatike.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei.
Kërkesat iraniane janë dorëzuar në ShBA përmes ndërmjetësit - Pakistanit. Ndërkohë nga Shtëpia e Bardhë thonë se do t’i japin një shans diplomacisë para se të bombardojmë.
“Dhe kur ndërmjetësit në këtë rast, Pakistani, na kërkojnë t’u japim këtyre negociatave edhe një shans para se të kthehemi në bombardime, atëherë mendoj se kjo është një zgjedhje krejtësisht e përshtatshme për presidentin Tramp. Ai i jep diplomacisë çdo shans të mundshëm para se të kthehemi në armiqësi.”, - u shpreh ambasadori i ShBA-së në OKB, Majk Ualtz.
Ndërkohë Izraeli, aleti më i fuqishëm i ShBA-së në Lindjen e Mesme, kërkon që lufta me Iranin të vazhdojë edhe me tej, deri në asgjësimin e materialeve bërthamore.
“Mendoj se kemi arritur shumë, por nuk ka përfunduar, sepse ende ka material bërthamor, përfshirë uraniumin, që duhet të nxirret nga Irani. Ende ka objekte për pasurim që duhet të çmontohen. Ende ka ndërmjetës që Irani i mbështet, raketa balistike që ende duan t’i prodhojnë.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Vetëm pak orë para refuzimit të propozimit, Trampi akuzoi Teheranin se “po luan lojëra” dhe përpiqet të zvarrisë negociatat, duke lënë të kuptohet se durimi i Uashingtonit ndaj bisedimeve po shteron. Raportohet se Irani kishte propozuar ndalimin e menjëhershëm të armiqësive në të gjitha frontet, heqjen e bllokadës amerikane ndaj eksporteve iraniane dhe njohjen e rolit të Teheranit në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, aleatët rajonalë të ShBA-së kundërshtuan kategorikisht çdo mundësi që Irani të kontrollojë këtë kalim strategjik detar ose të vendosë tarifa për kalimin e anijeve.
FARIJE DAUTI BAKIU
