Maqedoni

Segmenti Tetovë – Gostivar – Bukojçan, ndërtimi do të përfundojë në fund të vitit 2029

11.05.2026 14:44

Nikollovski thotë se shtyrja vjen si pasojë e mosangazhimit të pushtetit të kaluar...

Ndërtimi i segmentit rrugor Tetovë – Gostivar – Bukojçan, pjesë e korridorit 8, do të përfundojë në dhjetor të vitit 2029. Edhe pse në terren punohet intensivisht, shtyrja vjen si pasojë e mosangazhimit të pushtetit të kaluar, thotë ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski. Ai së bashku me kryeministrin,  drejtorin e ndërmarrjes për rrugë shtetërore dhe përfaqësues të “Behtel dhe Enka” panë nga afër punimet.
 
“Për këtë në muajin nëntor nga inxhinieri mbikëqyrës morëm njoftim zyrtar. Ai kërkoi që të shtyhet afati më së paku për dy vite, pasi që duhet të kompensohen dy vitet të cilat janë humbur nga qeveria paraprake. Ne këtu nuk kemi zgjedhje tjetër, përpos që ta bëjmë këtë. Andaj do të shkojmë me këtë afat që sa më herët, në dhjetor të vitit 2029 ta përfundojmë.”, - deklaroi ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski. 
 
Sfidat tjera, sipas ministrit, janë edhe të aspektit teknik dhe kanë të bëjnë me dislokimin e infrastrukturës energjetike dhe të telekomunikimit që kalojnë në këtë rajon kryesisht në segmentin Tetovë – Gostivar. Më lehtësuese janë rrethanat nga Gostivari në Bukojçan, edhe pse bëhet fjalë për terren malor të cilit do të duhet t’i shkohet përreth me ndërtim.
 
Mickoski: Projektet strategjike, prioriteti ynë
 
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ndërtimi i korridoreve mbetet prioritet i Qeverisë, duke mos anashkaluar as gazsjellësin me Greqinë.
 
“Si qeveri do të vazhdojmë t’i mbështesim këto projekte. Unë pres që shumë shpejt do të mund të lëshojmë në qarkullim pjesën që do të lidhë Kërçovën me Ohrin, por njëkohësisht edhe gazsjellësin në pjesën e parë të vitit të ardhshëm të lidhë vendin tonë me fqinjin tonë jugor.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Sa i takon çmimit të ndërtimit të korridorit 8, nga Qeveria thonë se nuk do të ketë anekse të reja. Ndërkohë që ka përfunduar i gjithë procesi i eksproprijimit të tokave nga Gostivari deri në Bukojçan.
 
MERAL ISMAILI