Maqedoni
Rruga eurointegruese e RMV-së, LSDM dhe VMRO-DPMNE fajin ia hedhin njëra-tjetrës
11.05.2026 14:57
Ndryshimet kushtetuese dhe përfshirja e etnive tjera në Kushtetutë...

Ndryshimet kushtetuese dhe përfshirja e etnive tjera në Kushtetutë, si kusht për vazhdimin e integrimit evropian të RMV-së, kanë nxitur përplasje politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Nga VMRO-DPMNE akuzojnë liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, se po mbron më shumë kërkesat bullgare sesa vijat e kuqe maqedonase dhe po manipulon qytetarët lidhur me ndryshimet kushtetuese. Sipas partisë në pushtet, pikërisht LSDM-ja gjatë qeverisjes së saj e ka vendosur vendin në pozitë të pafavorshme në procesin negociues me Bashkimin Evropian.
“Vetëm Venko Filipçe dhe ata besnikë të Zoran Zaevit, të emëruar personalisht prej tij në strukturat partiake të LSD-së, besojnë se ndryshimet kushtetuese janë pengesa e fundit për Maqedoninë. Në vend që të qëndrojnë në anën e djathtë, maqedonase dhe të mbrojnë shtetin, LSD-ja dhe Filipçe ndjekin gjurmët e Zaevit, duke ndryshuar përsëri emrin për të ardhur në pushtet dhe për të vjedhur. Atë që Zaevi e nisi, Filipçe nuk ka problem ta përfundojë.”, - deklaroi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Kanë reaguar nga LSDM-ja opozitare. Sipas tyre, përfshirja e etniteteve tjera në Kushtetutë dhe përshpejtimi i rrugës eurointegruese, nuk kërcënon identitetin maqedonas.
“Hristijan Mickoski dhe VMRO-ja po vazhdojnë të gënjejnë se përfshirja e etniteteve tjera në Kushtetutë e rrezikon identitetin maqedonas, kjo është gënjeshtër e kulluar. Qëllimi është i qartë, nuk bëhet fjalë për çështjen e etniteteve, por blloku i qëllimshëm i rrugës eurointegruese të vendit. Hapja e derës evropiane, në të njëjtën kohë nënkupton edhe hapjen e derës të Prokurorisë Publike Evropiane, nga e cila Mickoski dhe grupi i tij kanë frikë, sepse nuk mund të kenë tenderë të kurdisur, por ka vetëm përgjegjësi, prandaj edhe i bllokojnë ndryshimet kushtetuese.”, - theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Sipas LSDM-së, Mickoski qëllimisht në këtë kohë i përshkallëzon marrëdhëniet me Bullgarinë dhe orkestron sulme ndaj LSDM-së, duke pretenduar se LSDM po pengon agjendën e reformave, vetëm për të pranuar se nuk ka nevojë për opozitën për reforma.
FITIM KRYEZIU
