Maqedoni

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime propozon Katerina Zajkovskën për anëtare të KShPK-së

11.05.2026 15:33

Katerina Zajkovska u zgjodh anëtare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit....

Komisioni parlamentar për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, me shumicë votash, e miratoi propozimin që Katerina Zajkovska të zgjidhet anëtare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
 
“Propozoj që, në bazë të listës së renditjes, kandidatja Katerina Zajkovska nga Shkupi, ekonomiste e diplomuar dhe magjistre në kontabilitet, financa dhe auditim, të zgjidhet anëtare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Kush është pro? A ka ndonjë kundër? A ka ndonjë të përmbajtur? Konstatoj se Komisioni, me shumicë votash, e miratoi propozimin që kandidatja Katerina Zajkovska të jetë anëtare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.”, - deklaroi kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Gjorgjija Sajkoski.
 
Kandidate e opozitares LSDM ishte Milka Muratovska, e cila ishte e dyta e ranguar në bazë të pikëve, por nuk morri shumicë votash dhe nuk kaloi në Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit.
 
“Kandidatja që është specializuar dhe është orientuar në fushën e antikorrupsionit, që është një nga temat më të rëndësishme, konsideroj se është shumë përpara të gjithë të tjerëve dhe, sipas meje, renditet në krye të kësaj liste të vlerësimit me pikë. Prandaj propozoj që Milka Muratovska të zgjidhet anëtare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Ljupço Nikollovski.
 
Katerina Zajkovska do të marrë vendin e Cveta Ristovskës në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Megjithatë, para se të marrë detyrën, vendimi i Komisionit parlamentar duhet të kalojë në seancë plenare të Kuvendit dhe të miratohet me shumicë votash. Gjithsej, për këtë pozitë kanë qenë të nominuar pesë kandidatë.
 
ARMEND MURSLI