Maqedoni
Janevska paralajmëron licencimin e psikologëve shkollorë
11.05.2026 15:50
Iniciativë për licencim të psikologëve në institucionet arsimore për detektim të hershëm të problemeve...

Iniciativë për licencim të psikologëve në institucionet arsimore për detektim të hershëm të problemeve dhe rreptësim të kritereve të provimit profesional për punëtorët e arsimit, janë masat të cilat i paralajmëroi sot ministrja Janevska, lidhur me rastet e fundit të agresivitetit të adoleshentëve dhe përfshirjes së mësimdhënësve në akuza për pedofili.
“Ju drejtohem mësimdhënësve të cilët janë kolegë të atyre që kryejnë vepra jolegale, por janë edhe mësimdhënës të nxënësve të cilët duhet të jenë të mbrojtur nga ata të cilët kryejnë vepra jo të lejueshme, në këtë rast thoni pedofili. Ajo çfarë do të bëjmë është se do ta rreptësojmë kriteret për provimin profesional aty ka nevojë për ndryshime të menjëhershme dhe në mënyrë plotësuese do të fillojmë iniciativë për licencimin e psikologëve, puna thelbësore e të cilëve do të ishte të detektojnë çfarëdolloj problemi në shkollë dhe të ndërmarrin hapa në të ardhmen.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Kryetari i Shkupit bëri të ditur edhe masën e re që po ndërmerret për të adresuar problemin e agresivitetit mes moshatarëve.
“Për 15 ditë do të fillojë të funksionojë ndihma psikologjike falas me operatorë të jashtëm, e cila në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, falas do të ofrojë ndihmë psikologjike për shkollat e mesme.”, - theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Nuk janë përgjegjës vetëm institucionet shkollore, thonë përfaqësuesit e institucioneve, kërkojnë që problematika të adresohet në bashkëpunim me prindërit dhe punëtorët socialë, pasi, siç thonë ata, nxënësit nuk bëhen agresiv në shkollë, por vijnë me agresivitet në ambientet e shkollës. Masat u paralajmëruan në konferencën për shtyp e organizuar në hapjen Garës Kombëtare të Shkathtësive 2026, e organizuar nga Oda Zejtare e Shkupit, ku ministrja Janevska dhe kryetari i Qytetit të Shkupit theksuan orientimin strategjik drejt mësimit dual, që përfshin punën praktike në kompanitë private krahas procesit mësimor klasik, që do t’u mundësojë maturantëve kyçje më të lehtë në tregun e punës dhe minimizim të mungesës së fuqisë punëtore të veprimtarive deficitare.
ARLINDA BAFTIU
