Maqedoni
Gjykimi për diskotekën “Puls”, procesi për 13 policët shkon në seancë kryesore
11.05.2026 16:08
Gjykata Themelore Penale ka kaluar në shqyrtim kryesor rastin ndaj 13 zyrtarëve të akuzuar për rrezikim të sigurisë në lidhje me zjarrin në diskotekën “Puls”....

Gjykimi për 13 zyrtarë dhe udhëheqës policor nga Koçani dhe Shtipi, të ngarkuar për rrezikim të sigurisë së përgjithshme në diskotekën “Puls”, shkon në seancë kryesore për shqyrtim. Vendimi erdhi në seancën përgatitore të Gjykatës Themelore Penale e shoqëruar me debate procedurale, përfshirë edhe kërkesën për përjashtimin e një gjyqtareje porote, Lidia Petrovska, për shkak të lidhjes familjare me bashkëshorten e njërit prej të akuzuarve. Gjykata e refuzoi kërkesën, duke vlerësuar se nuk ekziston komunikim intensiv që do të ndikonte në paanshmëri.
“Avokati i palës së dëmtuar është bashkëshort i kushërirës së katërt të anëtares së këshillit që po vepron në këtë çështje. Gjykatësja informoi kryetaren në detyrë të kësaj gjykate. U vendos se ligji parashikon që deri në çfarë shkalle të farefisnisë është e patjetërsueshme largimi nga lënda. Gjykatësi informoi se nuk ka komunikim intensiv me familjen më të largët dhe kjo nuk ndikon në paanshmëri. Të pandehurit nuk kërkuan përjashtim.”, thonë nga Gjykata Penale.
Mbrojtja e disa të akuzuarve kontestoi tërësisht aktakuzën dhe ngriti çështje lidhur me procedura paralele që po zhvillohen në Idrizovë, duke e cilësuar këtë si pengesë për procesin gjyqësor. Po ashtu, u hap debat edhe për mënyrën e administrimit të provave, ku një pjesë e avokatëve kërkuan që të gjitha provat e Prokurorisë të shqyrtohen në mënyrë të rregullt, ndërsa të tjerë kundërshtuan pjesërisht pranimin e tyre.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë qenë në detyrë në periudhën 14–16 mars, por njëkohësisht të angazhuar edhe në kabarenë “Puls”, ku natën kritike ndodhi zjarri. Edhe pse ishin të pranishëm në momentin e shpërthimit të zjarrit, ata nuk e ndërprenë aktivitetin dhe nuk penguan përdorimin e mjeteve piroteknike, të cilat dyshohet se shkaktuan tragjedinë.
MERAL ISMAILI
