Botë
Vazhdojnë mosmarrëveshjet ShBA – Iran, shkëmbim propozimesh të refuzuara nga palët
12.05.2026 13:51
Zbehen shpresat për një marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme....

Zbehen shpresat për një marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme. Presidenti amerikan Donald Tramp thotë se armëpushimi me Iranin mbetet në fuqi për shkak të propozim-marrëveshjeve të dërguara nga të dyja palët. Sipas tij, Teherani refuzoi kërkesat e ShBA-së dhe shtroi një propozim tjetër paqeje, të cilin e dërgoi në Shtëpinë e Bardhë përmes Pakistanit, por Trampi e cilësoi si të papranueshëm. Teherani shprehet se do të vazhdojë të mbrojë interesat e tij kombëtare dhe se nuk kërkon “kënaqësinë e të tjerëve”, por kërkon përfundimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, sovranitet të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit, dëmshpërblim dhe fund të bllokadës detare amerikane.
“Ne kemi ushtrinë më të madhe në botë. E ndërtova në masë të madhe gjatë mandatit tim të parë dhe nuk e dija se do ta përdorja kaq shumë në mandatin tim të dytë. Por, shumë thjesht, kur pyesin: A ka plan ai? Po, kam plan. Plani është shumë i thjeshtë... E dini, në luftë duhet të ndryshosh. Duhet të jesh fleksibël. Por, plani është që ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Dhe ata nuk e thanë këtë në letrën e tyre.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Uashingtoni ka vendosur sanksione të reja ndaj individëve dhe kompanive që, sipas tij, po e ndihmojnë Teheranin të eksportojë naftë drejt Pekinit. Bankat janë paralajmëruar për përpjekjet për shmangien e kufizimeve. Ndërkohë, në prag të përgatitjeve për Kupën e Botës, Irani kërkon që pjesëtarët e ekipit që kanë shërbyer në Gardën Revolucionare të pajisen me viza pa kushte paraprake.
“Ne kemi publikuar 10 kushte për FIFA-n, që nëse skuadra jonë bashkohet, duhet t’i pranoni këto 10 kushte. Gjëra si për shembull, nëse jepni viza, së pari duhet t’u jepni viza të gjithëve, veçanërisht atyre që kanë shërbyer në Korpusin e Gardës Revolucionare të Iranit.”, - theksoi presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taç.
Për konfliktin në pjesën tjetër të Lindjes së Mesme, Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje unanime për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj liderëve të Hamasit dhe kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor.
“Në Gazë, situata humanitare mbetet katastrofale... Sigurisht, bisedimet janë të bllokuara midis Izraelit dhe Hamasit, dhe ata refuzojnë të heqin dorë nga armët e tyre, gjë që rrit shanset për një luftë të re... Por, gjithashtu kemi parë rritje të dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor. Kemi arritur një marrëveshje politike për sanksionimin e kolonëve ekstremistë izraelitë dhe subjekteve. Kjo shkon së bashku me sanksione të reja ndaj figurave kryesore të Hamasit.”, - u shpreh përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas.
Kneseti miratoi një ligj për krijimin e një tribunali të posaçëm ushtarak për gjykimin e palestinezëve të akuzuar për sulmet e 7 tetorit 2023. Kodi penal i Izraelit përfshin dënimin me vdekje për disa nga të akuzuarit. Me gjithë armëpushimin e vendosur, situata në Rripin e Gazës mbetet ende e brishtë, pasi sulmet izraelite mbi civilet ende vazhdojnë. Izraeli e ka shkelur marrëveshjen duke kryer mbi 2.000 sulme dhe duke vrarë qindra civilë.
FARIJE DAUTI BAKIU
