Maqedoni

Zgjedhjet Lokale 2025, do të paguhen kompensimet në 11 Komisione Komunale Zgjedhore

12.05.2026 14:09

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi Vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për 11 Komisione Komunale Zgjedhore...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi Vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për 11 Komisione Komunale Zgjedhore, me çka mundësohet pagesa e kompensimeve të mbetura për organet zgjedhore në komunat me xhirollogari të bllokuara. Në kuadër të arsyetimit të propozim-vendimit, sipas kryetarit të KShZ-së, Bojan Mariçiq, ky vendim është i dedikuar për kompensimet e organeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 dhe zgjedhjet e përsëritura për kryetarë të komunave të zbatuara në vitin 2026. 
 
“Ky vendim është i dedikuar për kompensimet e organeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 dhe zgjedhjet e përsëritura për kryetarë të komunave të zbatuara në vitin 2026, me të cilin zgjidhet problemi me vonesën e pagesës për shkak të xhirollogarive të bllokuara të komunave. Shuma e përgjithshme prej diçka mbi 107 milionë denarë e dedikuar për komunat Haraçinë, Zhelinë, Gostivar, Vrapçisht, Dellçevë, Strugë, Pehçevë, Tetovë, Krivogashtan, Vasilevë, dhe Zërnovc, është siguruar nga mjetet buxhetore të shtetit, pas kërkesave dhe urgjencave të mëparshme të dorëzuara deri te Ministria e Financave nga ana e KShZ-së.”, thuhet në komunikatën e KShZ-së. 
 
Sipas KShZ-së, vendimi është miratuar në bazë të konkluzionit të Qeverisë nga data 29.04.2026, me çka njëkohësisht konfirmohet përkushtimi dhe angazhimi i KShZ-së për pagesën e plotë të të gjithë personave të përfshirë në zbatimin e proceseve zgjedhore. Mjetet do të transferohen në llogari të veçanta dedikuese të komunave për aktivitete zgjedhore, me çka garantohet realizimi i tyre për pagesën e kompensimeve të këshillave zgjedhorë dhe komisioneve komunale zgjedhore, përkundër xhirollogarive të bllokuara të komunave. 
 
FITIM KRYEZIU