Maqedoni

Samiti “Maqedonia 2026”, Korridori 8 dhe 10, themeli i zhvillimit ekonomik

12.05.2026 14:24

Maqedonia e Veriut pa themel infrastrukturor, i cili do të kontribuonte në rritje të dukshme ekonomike...

Maqedonia e Veriut pa themel infrastrukturor, i cili do të kontribuonte në rritje të dukshme ekonomike. Këtë e pohon kryeministri Hristijan Mickoski në samitin dyditor ekonomik “Maqedonia 2026”. Themeli ekonomik shtrihet në përfundimin e korridoreve 8 dhe 10 së bashku me lidhjen hekurudhore dhe energjetike me shtetet e rajonit. Kjo lidhje, sipas kryeministrit, është formula e vetme drejt zhvillimit.
 
“Ne duhet të ndërtojmë themelin. Ne nuk e kemi themelin dhe ky është thelbi. Përparësia e vetme krahasuese që ne e kemi me konkurrencën në rajon dhe Evropë është fakti se ne jemi vendi i lidhjes të dy korridoreve të rëndësishme evropiane, korridori 10 dhe korridori 8. Nëse ne bëjmë këto lidhje rrugore, atëherë mund të zhvillojmë gjithçka, nga turizmi e gjithçka tjetër. Ne këtë nuk e kemi bërë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Kryeministri është optimist se korridoret do të përmbyllen brenda mandatit të kësaj qeverie. Gjithashtu përkushtim tregohet edhe në jetësimin e lidhjeve hekurudhore përgjatë korridoreve, si dhe gazsjellësin me Greqinë, Serbinë, por edhe Kosovën.
 
Shifrat tregojnë se shteti në dy vitet e fundit ka shënuar rritje ekonomike në mbi 3.5%. Themeluesit e samitit konsiderojnë se kjo nuk është e mjaftueshme.
 
“Ekziston një nivel i anksiozitetit se si punët të lëvizin më shpejt. Edhe pse rritja është e mirë, megjithatë konsideroj se ekonomitë e mëdha gjejnë mënyrë të rriten më shpejt se sa tregu. Ky është realiteti. Përsëris, ka përparim, por nuk duhet të jemi të kënaqur.”, - theksoi bashkëthemeluesi i Samitit, Majk Zafirovski.
 
“Me rëndësi është bashkëpunimi me institucionet dhe Qeverinë. Besoj se vetëm nëpërmjet dialogut të hapur, partneritetit dhe vizionit të përbashkët, mund të krijojmë një klimë më të mirë biznesi, ekonomi më të fuqishme dhe standard më të mirë për qytetarët.”, - u shpreh kryesuesi i bordit të drejtorëve të Samitit, Viktor Mizo.
 
Sa i përket investimeve të huaja, Qeveria vlerëson se fokusi do të duhet të vihet në projekte rajonale në fushën e inteligjencës artificiale, pasi investimet aktuale dhe ato të paralajmëruara janë duke shterur potencialin njerëzor.
 
MERAL ISMAILI