Rajon
Kosovë, përplasje rreth ligjeve me procedurë të shkurtuar
12.05.2026 14:35
Megjithëse fushata ende nuk ka filluar zyrtarisht, partitë politike në Kosovë vazhdojnë aktivitetet partiake për zgjedhjet e 7 qershorit....

Megjithëse fushata ende nuk ka filluar zyrtarisht, partitë politike në Kosovë vazhdojnë aktivitetet partiake për zgjedhjet e 7 qershorit. Ato janë përplasur për miratimin e ligjeve me procedurë të përshpejtuar. Nga Vetëvendosje thonë se për shkak të rrezikut që Kosova të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, Qeveria ka propozuar, ndërsa përbërja e kaluar e Kuvendit ka miratuar shumë projektligje me procedurë të përshpejtuara.
“Arsyeja se në disa projektligje po ngutemi është se shihej se sipas të gjitha gjasave vendi do të shkonte në zgjedhje, edhe ashtu ndodhi. Mendoj se ka qenë punë e mirë, sa i përket këtyre projektligjeve që të përfundojnë sa më herët. Çdo projektligj ka kaluar në institucionet përkatëse dhe asnjë vendim nuk është marrë jashtë rendit kushtetues.”, - deklaroi Ilir Kërqeli nga Vetëvendosje.
Me këtë qëndrim të Vetëvendosjes nuk janë pajtuar partitë opozitare.
“Ligje të rëndësishme, siç është buxheti, sigurimi shëndetësor, ligji për çmimet “tavan”, ligji për energjinë, të gjitha këto ligje që janë të rëndësishme për vendin kanë dashur t’i kalojnë pa pasur një diskutim mes deputetëve.”, - theksoi Arben Mustafa nga PDK.
Nëse deputetëve nuk i mundësohet të japin kontribut për to, për çfarë duhen deputetët në Kuvend.
“Kjo legjislaturë karakterizohet me arrogancë të shumicës në përcaktimin e agjendës legjislative. Kemi parë një prezantim të një agjende, e cila ka synuar që me çdo kusht t’i thyej të gjitha afatet kohore vetëm për t’i proceduar projektligjet, dhe cilësia e këtyre ligjeve nuk ka qenë asnjëherë preokupim i shumicës. Një parti politike kur ka kaq shumë vota ka arritur t'i kalojë këto projektligje. Kosova do të ketë probleme serioz për t'i implementuar ato ligje.”, - u shpreh Jehona Lushaku Sadriu nga LDK.
“Legjislatura e 10-të e ka nisur punën mbrapshtë dhe e përfundoi edhe më mbrapshtë.”, - theksoi Besnik Tahiri nga AAK.
Pushteti dhe opozita vazhdojnë ta fajësojnë njëri-tjetrin edhe për atë se kush është fajtor që Kosova nuk arriti ta zgjedhë presidentin dhe u detyrua të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
GYLTENE SINANI
