Maqedoni
Tetovë, vihet në përdorim platforma “Te-Klik”
12.05.2026 15:01
Banorët e Tetovës të gjitha pagesat ndaj komunës, ndërmarrjeve komunale, por edhe ndërmarrjeve publike e private...

Banorët e Tetovës të gjitha pagesat ndaj komunës, ndërmarrjeve komunale, por edhe ndërmarrjeve publike e private, do të mund t’i kryejnë në mënyrë digjitale përmes platformës “Te-Klik”. Përveç pagesave, qytetarët përmes këtij sistemi do të kenë qasje edhe në shërbime të tjera që kanë të bëjnë me urbanizmin, transportin publik, mjedisin dhe cilësinë e ajrit. Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian dhe është realizuar në Komunën e Tetovës gjatë pesë viteve të fundit.
“Banorët do të përfitojnë shërbime shumë efikase përmes aplikacionit dhe aplikacioneve që janë në ueb-faqe, ku do të marrim shërbime, sidomos ndërmarrjet që merren me shërbime ndaj qytetarëve e që kanë të bëjnë me lidhjen me shërbimet e komunës. Pra, bëhet fjalë për një proces gati se qind për qind të digjitalizuar.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Mihalis Rokas, tha se ky është një hap shumë i mirë në drejtim të rrugës proevropiane të vendit, sa iu përket reformave.
“Zgjidhja digjitale është një nga proceset kyçe për komunat evropiane, për Komunën e Tetovës dhe e konsiderojmë si projekt transformues shumë të suksesshëm, sepse do ta lehtësojë jetën e përditshme të qytetarëve, por edhe investitorëve që duan të vijnë të investojnë në Tetovë. Po ashtu përgatit komunat dhe vendin për aksesin në BE, sepse digjitalizimi është plani kryesor i agjendës evropiane reformuese.”, - theksoi ambasadori i BE-së në RMV, Mihalis Rokas.
“Komuna e Tetovës ia doli mirë me këtë projekt dhe është mirë të merret shembull edhe nga komunat tjera, por është mirë t’i motivojmë edhe komunat tjera që nuk kanë sisteme të këtilla, që të kyçen në nivelin nacional të inter-operabilitetit që ta shfrytëzojnë portalin nacional për shërbime, sepse vetëm kështu mund të flasim për afrimin e pushtetit lokal me qytetarët.”, - u shpreh ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Ky projekt, i realizuar në bashkëpunim me kompaninë digjitale “Albiz”, konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve komunale në Tetovë.
VISAR SADIKI
