Ekonomi
Forum biznesi RMV – Shqipëri, synohet shkëmbim tregtar prej 1 miliard eurosh
12.05.2026 15:29
Bashkëpunimi ekonomik mes Maqedonisë dhe Shqipërisë është i mirë...

Bashkëpunimi ekonomik mes Maqedonisë dhe Shqipërisë është i mirë, por ka potencial të jetë shumë më i madh. Ky ishte mesazhi kryesor i Forumit të Biznesit Maqedoni-Shqipëri të mbajtur në Shkup. Pjesëmarrësit synojnë që në vitet e ardhshme, me një agjendë konkrete dhe afate të qarta, të arrijnë shkëmbim tregtar prej një miliard eurosh.
“Le të bashkohemi, t’i mbyllim boshllëqet, ta formalizojmë qarkullimin tregtar dhe ta shndërrojmë Maqedoninë dhe Shqipërinë në një treg të përbashkët, që do ta rrisë shkëmbimin tregtar nga 207 milionë në 1 miliard euro. Ky është qëllimi që duhet ta arrijmë.”, - deklaroi kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski.
Që këto shifra të rriten, nevojitet punë e përbashkët përmes odave ekonomike dhe përfaqësuesve të biznesit, theksoi kryetarja e Unionit të Odave Ekonomike të Shqipërisë, Ines Muçostepa.
“Detyra jonë është të shohim se cilat janë potencialet e shteteve tona, që t’i kthejmë ekonomitë tona, që të punojmë në energjetikë, infrastrukturë, digjitalizimi të jetë bazë për bashkëpunimin tonë. Presim që të vini në Shqipëri dhe të gjithë investitorët e huaj janë të mirëseardhur.”, - theksoi kryetarja e Unionit të Odave Ekonomike të Shqipërisë, Ines Muçostepa.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, tha se për këtë nevojiten investime në infrastrukturë dhe lidhje më të mira.
“Aktualisht vetëm në ndërtimin dhe përfundimin e autostradave dhe rrugëve ekspres në kuadër të Korridorit 8, po investohen 2.1 miliardë euro. Për një shtet me 1.8 milionë banorë dhe një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 21–22 miliardë dollarësh, ky është një investim jashtëzakonisht i madh. Në këtë shumë përfshihen edhe investimet në hekurudhë, ku tashmë është arritur marrëveshje me Bullgaria. Me këto projekte, investimet e përgjithshme pritet të arrijnë rreth 3 miliardë euro.”, - u shpreh ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Denion Meidani, theksoi rëndësinë e Korridorit 8, duke thënë se ai mund ta shndërrojë fqinjësinë në partneritet dhe partneritetin në fuqi zhvillimi.
“Turizmi nuk funksionon i izoluar, as biznesi nuk funksionon pa ndërlidhje, rrugët, hekurudhat, portet, energjia dhe teknologjia, janë gjuhët e vërteta të zhvillimit dhe bashkëveprimit modern. Pikërisht këtu hyn Korridori 8, i cili është një projekt strategjik, është linja që lidh Adriatikun me Detin e ZI , është rruga që bashkon tregjet, shkurton distancat, rrit sigurinë dhe i vendos vendet tona në zemër të një arkitekture të re ekonomike evropiane.”, - theksoi ambasadori i Shqipërisë, Denion Mejdani.
Diskutimi në forumin e biznesit me titull “Përtej Kufijve” ishte i ndarë në tre panele: investimet, ndërlidhja dhe turizmi.
ARMEND MURSELI
