Kontesti maqedono – bullgar: Tensione, Sofja kërkon bullgarët në Kushtetutë

12.05.2026 16:03

Tensione diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë...

Tensione diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në takimin e shkurtër njëminutësh, por me porosi të ashpra, janë ndeshur dy ministrat e Jashtëm të vendit, Mucunski dhe ministrja bullgare Petrova Çamova, në Bruksel.

Ministri Mucunski ka kritikuar homologen bullgare për deklaratën e saj, ku maqedonasit i ka quajtur maqedono-verior, si dhe për formatin e takimit. Çamova është kundërpërgjigjur qartazi: “Bëni ndryshime kushtetuese, nëse dëshironi ta vazhdoni rrugën drejt BE-së!”.

Për Mucunskin maqedonasit janë maqedonas dhe në një intervistë për Euronjus ka ftuar Bullgarinë të reflektojë dhe hap dialogun. Madje Ministria e Jashtme në Shkup do të ftojë për bisedë ambasadorin e Bullgarisë, Zhelasko Radukov, pas ashpërsimit të marrëdhënieve diplomatike.

Integrimi për në BE, Mickoski zgjedh rrugën më të gjatë, me dinjitet

Me gjithë situatën e krijuar, kryeministri Hristijan Mickoski është shprehur se do të zgjedhë rrugën më të gjatë drejt BE-së, me dinjitet dhe rezultate, e jo nëpërmjet kompromiseve, të cilat do të hapin probleme.

“Ne vlerësojmë se nuk ka rrugë më të shkurtër, gjegjësisht ka, por ajo rrugë më e shkurtër ka sfidat e saj. Më së shpeshti, ato sfida janë nënçmuese. Andaj themi, nëse duhet të shkojmë kah rruga më e vështirë, do të shkojmë nëpër këtë rrugë, por këtë vend do ta meritojmë me vlera dhe rekomandime e jo me nënshkrimin e fletave të bardha. Pasi që, në fund të ditës këto shkaktojnë probleme për brezat e ardhshëm. Rruga më e vështirë ka çmimin e saj. Shpesh burokratët ju thonë se çfarë duhet të bëni, pasi për ata kjo është biznes, por për ju është gjithçka.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Filipçe: Deklaratat e Mickoskit, gënjeshtra

Për kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, deklarimet e tilla të Mickoskit janë gënjeshtra. Sipas tij, pati apo nuk pati takim zyrtar midis dy ministrave në Bruksel, porosia bullgare është e qartë, se pa përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, e cila është çështje evropiane, nuk ka përparim drejt BE-së. (Meral Ismaili, TVM2)