Eurointegrimi i Shqipërisë, Dhuka raporton para deputetëve për integrimin

12.05.2026 16:28

Tre ishin çështjet kryesore për të cilat kryenegociatores Majlinda Dhuka...

Tre ishin çështjet kryesore për të cilat kryenegociatores Majlinda Dhuka iu desh të jepte sqarime para Komisionit të Jashtëm, teksa bëri një pasqyrim të procesit të integrimit evropian. Opozita kërkoi më shumë informacion mbi çështjet që thotë se po bllokojnë integrimin.

“A ka qenë çështja Balluku pengesë për IBAR-in? A pengon mbrojtja që i bën Rama Ballukut, Karcanajt në procesin e integrimit?”, - pyet Vokshi.

Kryenegociatorja mohoi që Shqipëria të ketë ngecur në këtë proces.

“Nuk ka asnjë vonesë, asnjë ngecje, vazhdon, është procedurë normale. Diskutimet janë të brendshme. Institucionet e drejtësisë do të vijojnë punën e tyre. Këtë vlerësim do ta japin vendet anëtare kur të marrin vendimin e tyre dhe ne do ta vlerësojmë kur të marrim përgjigjen e tyre.”, - theksoi kryenegociatorja,  Majlinda Dhuka.

Në linja krejtësisht të ndryshme për qasjen ndaj integrimit, opozita kërkoi sqarime dhe për propozimin e  kryeministrit Rama dhe presidentit serb Vuçiq, për anëtarësimin pa të drejtë pa veto.

“Kush është vizioni për anëtarësimin në BE. Është “full membership” siç u nis, apo “membership” i pjesshëm, siç e ka propozuar Rama-Vuçiq?”, - theksoi Vokshi.

“Edhe në vendet e BE-së shprehen mendime të ndryshme, ka përpjekje për te reformuar sistemin e votimit në BE, por deri tani nuk ka vendim.”, - u shpreh Dhuka.

Para Komisionit të Jashtëm, Dhuka bëri një përmbledhje të raportit të Qeverisë për ecurinë e integrimit evropian, duke theksuar se 101 kushtet e BE-së për mbylljen e 33 kapitujve janë përkthyer në 222 akte ligjore dhe nënligjore. (Gyltene Sinani, TVM2)