Përfundoi armëpushimi Rusi – Ukrainë, fillojnë përgatitjet për luftime të reja

12.05.2026 16:48

Përplasjet me ushtrinë ruse kanë vazhduar edhe gjatë armëpushimit treditor...

Përplasjet me ushtrinë ruse kanë vazhduar edhe gjatë armëpushimit treditor të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, tha presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski në orët e fundit të armëpushimit.

Ai ka akuzuar Moskën se nuk ka synim t’i japë fund luftës që zgjat prej më shumë se katër vitesh, por u shpreh se Ukraina vëren përgatitje të reja ushtarake nga pala ruse.

“Nuk pati heshtje në front sot, pati beteja. Ne pamë gjithçka. Vërejmë gjithashtu se Rusia nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës. Fatkeqësisht, ajo po përgatit sulme të reja. Edhe ne, për fat të keq, po përgatitemi për sulme të reja. Por, paqja duhet të vijë. Pikërisht për këtë po punojmë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Ndërkohë, Moska thotë se pala ukrainase po shmang negociatat dhe po pengon ecurinë e bisedimeve për zgjidhjen e konfliktit.

“E dini që armëpushimi humanitar ka përfunduar dhe operacioni special ushtarak vazhdon. Ai mund të ndalet në çdo moment sapo regjimi i Kievit dhe Zelenski të marrin përgjegjësi dhe të marrin vendimin e nevojshëm. Cilat vendime duhet të merren në Kiev është e njohur mirë.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Çështja e fëmijëve ukrainas të zhvendosur gjatë luftës mbetet një nga temat më të ndjeshme humanitare mes Moskës dhe Kievit.

Zyrtarja ruse për të drejtat e njeriut, Tatiana Moskalkova, ka deklaruar para presidentit Vladimir Putin se rreth 20 fëmijë ukrainas janë kthyer te familjet e tyre si pjesë e punës së saj në procesin e ribashkimit familjar.

Ndërsa Ukraina pohon se mijëra fëmijë ende nuk janë gjetur.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arreste në lidhje me akuzat për deportim të paligjshëm të fëmijëve, akuza që Rusia i hedh poshtë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)