Maqedoni
MASh, udhëzues elektronik për drejtimet profesionale
13.05.2026 14:21
Për herë të parë, të gjitha informacionet për arsimin e mesëm janë të centralizuara në një vend....

Për herë të parë, të gjitha informacionet për arsimin e mesëm janë të centralizuara në një vend. Për ta lehtësuar përzgjedhjen e shkollës së mesme për semimaturantët, u promovua udhëzuesi elektronik për kualifikim në arsimin e mesëm profesional. Ky mjet digjital do t’i ndihmojë nxënësit që të marrin një vendim sa më të drejtë, të bazuar në informacione për fushën në të cilën do të vazhdojnë të edukohen dhe më pas të punojnë.
“Platforma i promovon të gjitha drejtimet profesionale të cilat ekzistojnë në shkollat e mesme profesionale në vend. Ka rol informativ dhe këshilldhënës dhe do t’u ndihmojë nxënësve dhe prindërve që të informohen më mirë për drejtimet e arsimit, perspektivën për arsim të mëtejshëm, si dhe mundësitë për punësim dhe zhvillim të karrierës së nxënësve.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janeska.
“Nxënësit do të mund t’i identifikojnë më mirë interesat dhe potencialin e tyre, ndërsa prindërit do të kenë një burim të sigurt informacioni. Platforma mundëson edhe prezantimin e kompanive të përfshira në arsimin dual, duke iu dhënë mundësi nxënësve dhe prindërve të informohen më lehtë për mundësitë e të mësuarit përmes punës dhe bashkëpunimit me punëdhënësit.”, - theksoi drejtori i Qendrës për Arsim Profesional, Besnik Zendeli.
Qëllimi i platformës është të plotësojë mungesën e informacionit mbi edukimin profesional, duke bashkuar institucionet publike, shkollat dhe sektorin privat.
“Platforma është e rëndësishme për përmirësimin e komunikimit mes institucioneve publike, nxënësve dhe prindërve të tyre. Ajo paraqet një ndryshim nga komunikimi i njëanshëm në një komunikim më të qasshëm dhe të fokusuar drejt nxënësve.”, - u shpreh zëvendësambasadorja e Zvicrës, Mihail Harari.
Udhëzuesi është i qasshëm në adresën elektronike Kualifikaci.crs.gov.mk dhe i promovon të gjitha drejtimet dhe profilet e arsimit që ekzistojnë në shkollat e mesme profesionale në tërë vendin, sipas rajoneve, kualifikimeve, sektorëve dhe shkollave.
ARLINDA BAFTIU
