Botë
Kryeministri britanik nën presion politik, kërkohet dorëheqja e tij pas dështimit në zgjedhje
13.05.2026 14:45
Starmer përballet me presion të madh politik pas një serie dorëheqjesh ministrore...

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, përballet me presion të madh politik pas një serie dorëheqjesh ministrore dhe thirrjeve në rritje nga deputetët e Partisë Laburiste për të dhënë dorëheqje, pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale. Megjithatë, Starmer ka deklaruar se nuk do të largohet dhe se do të vazhdojë të qeverisë, duke theksuar se ka marrë mandatin për të përballuar sfidat e vendit. Kryeministri pati edhe një takim privat kokë më kokë me Mbretin Çarls, për të zgjidhur krizën politike. Pas këtij takimi, mbreti mbajti fjalim në Dhomën e Lordëv dhe paralajmëroi anëtarët e Parlamentit, se Britania e Madhe ndodhet përballë një rreziku të madh dhe kërcënimeve për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Zotërinj të nderuar dhe anëtarë të Dhomës së Komunave, një botë gjithnjë e më e rrezikshme dhe e paqëndrueshme po kërcënon Mbretërinë e Bashkuar, me konfliktin në Lindjen e Mesme si shembullin më të fundit. Çdo element i sigurisë energjetike, mbrojtjes dhe sigurisë ekonomike të vendit do të vihet në provë. Qeveria ime do t’i përgjigjet me forcë dhe do të synojë të krijojë një vend që është i drejtë për të gjithë. Ministrat e mi do të marrin vendime që mbrojnë energjinë, mbrojtjen dhe sigurinë ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar në afat të gjatë.”, - deklaroi Mbreti Çarls III.
Kryeministri britanik Keir Starmer shpesh herë ka deklaruar se përballet me presion politik dhe diplomatik nga aleatët ndërkombëtarë, sidomos nga ShBA-ja, si dhe me presion të brendshëm për t’u përfshirë në konfliktin me Iranin. Por, Starmer është shprehur se do t’u bëjë ballë këtyre presioneve dhe nuk do të pranojë të futet në një luftë që dëmton interesat e Britanisë. Ndërkohë, qytetarët kanë shprehur mendime të ndryshme lidhur me qëndrimin e tij në postin e kryeministrit.
“Qeveria dhe pjesa tjetër e vendit duan që ai të largohet dhe të vijë dikush tjetër, por ne nuk e duam një gjë të tillë.”, - tha një qytetare.
“Vërtet, vërtet keq. Ne zakonisht jemi votues të Laburistëve.”, - tha një qytetare tjetër.
“Nëse Keir Starmer jep dorëheqje, do të jetë thjesht një parti tjetër që ndjek të njëjtin proces, ku ndryshohen liderët vazhdimisht dhe kjo nuk sjell asgjë për publikun.”, - u shpreh një qytetar.
“Unë dua që ai të largohet. Na duhet ndryshim dhe na duhet menjëherë.”, - u shpreh një qytetare tjetër.
“Ne i kemi dhënë shans Konservatorëve, i kemi dhënë shans Laburistëve. Dhe tani mendoj se le t’i japim një shans edhe Reformës.”, - theksoi një qytetare.
Kryeministri britanik Keir Starmer ka humbur mbështetjen e të gjitha sindikatave, të cilat kanë financuar Partinë Laburiste. Tërheqja e mbështetjes sindikale është një goditje shumë e rëndësishme për Starmer, sepse Partia Laburiste varet nga miliona paund fonde sindikale.
FARIJE DAUTI BAKIU
