Maqedoni

Incidenti në shkollën e Hasanbegut, nxënësi i therur me thikë në gjendje të rëndë, Janevska: Gjoba për prindërit e nxënësve që ushtrojnë dhunë

13.05.2026 15:05

Nxënësi i therur me thikë në shkollën fillore të lagjes Hasanbeg të Komunës së Gazibabës është e rëndë...

Nxënësi i therur me thikë në shkollën fillore të lagjes Hasanbeg të Komunës së Gazibabës është e rëndë, pasi ka marr plagë nga mjet i mprehtë në pjesën e barkut dhe me prerje në kokë, kanë bërë të ditur nga Qendra Klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Ky rast ka ngritur sërish shqetësimin për sigurinë e fëmijëve në shkolla. Por, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se do të kërkojë ndryshime ligjore për të mundësuar me ligj gjoba për prindërit, fëmijët e të cilëve ushtrojnë dhunë në shkolla. Ajo thekson se agresiviteti i fëmijëve nuk buron nga shkolla, pasi thikat dhe sendet tjera të rrezikshme në shkolla ata i sjellin nga jashtë.
 
“Armët e ftohta, fëmijët nuk i gjejnë në shkollë. Armët e ftohta, fëmijët i sjellin nga jashtë. Patjetër të riorganizohen dhe të përforcohen kujdestaritë e arsimtarëve. Arsimtarët patjetër të jenë në mesin e nxënësve. Raste të izoluara të dhunës ekzistojnë gjithkund  dhe do të ekzistojnë gjithmonë, por ajo që është detyra jonë është t’i sjellim në minimum. Do t’i lus deputetët që të kërkojnë ndryshime në ligjin për arsimin fillor, që të aplikojmë dënime për prindin, fëmija i të cilit është kryerës i dhunës në shkollë.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
Ministrja paralajmëroi edhe ndryshime në mënyrën e veprimit pas incidenteve në shkolla, si dhe trajnime shtesë për mësimdhënësit dhe drejtorët, në bashkëpunim me komunat dhe MPB-në. Janevska theksoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme janë realizuar aksione për kontrollimin e çantave të nxënësve para shkollave. Ndryshe, policia arrestoi 15-vjeçarin, i cili me mjet të mprehtë sulmoi nxënësin në shkollën fillore në Hasanbeg të Komunës së Gazi Babës. Nga MPB njoftuan se i mituri është privuar nga liria më 11 maj 2026 në ora 14:50, pas një kallëzimi paraprak nga shkolla, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë kallëzim përkatës. 
 
BELINDA KOKA ADEMI