Maqedoni
Sërish protesta për provimin e Jurisprudencës, Mickoski: Keni durim, së shpejti zgjidhje ligjore
13.05.2026 15:20
Studentët shqiptarë kanë paralajmëruar për 18 maj protestën me kërkesën për dhënien e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe....

Studentët shqiptarë kanë paralajmëruar për 18 maj protestën me kërkesën për dhënien e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Por kryeministri Hrsitijan Mickoski i fton studentët të kenë durim, pasi së shpejti do të propozohet zgjidhje ligjore për kërkesën që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
“Është çështje për të cilën ne si qeveri punojmë. Jam i bindur që shumë shpejt do të dalim me propozim zgjidhje. Jam i bindur që ai propozim do të jetë sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, dhe sipas standardeve ndërkombëtare, kështu që unë i lus të gjithë ata që janë pjesë e këtij procesi që të jenë të durueshëm, sepse ka forca politike në shtet që nuk duan të jemi shtet që është përparues, shtet që ka reforma, por duan që në shtet të ketë konflikt, trazira, protesta, etj, por të njëjtit kanë pasur mundësi më shumës e 20 vjet për ta zgjidhin këtë çështje, jo vetëm që nuk e zgjodhën por në mënyrë shtesë e komplikuan. Ne si qeveri jemi të përkushtuar ta zgjidhim këtë çështje dhe jam i bindur se shumë shpejt do të dalim me zgjidhje.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Kryeministri njëherësh theksoi se grupet e punës janë duke punuar për zgjidhjen ligjore, e cila do t’i respektojë të gjitha standardet e nevojshme që duhet t’i ketë një ligj i tillë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
