Maqedoni
Kontesti maqedono – bullgar, Mickoski: Jemi parti pro maqedonase
13.05.2026 15:36
Ashpërsohet retorika e liderëve politikë maqedonas Mickoski dhe Filipçe mbi kontestin me Bullgarinë....

Ashpërsohet retorika e liderëve politikë maqedonas Mickoski dhe Filipçe mbi kontestin me Bullgarinë. Kryeministri Hristijan Mickoski iu është kundërpërgjigjur kryseocialdemokratit Filipçe, pasi ai VMRO – DPMNE-në e cilësoi si parti bullgarofile. Kryeministri thotë se partia e tij punon në mbrojtjen e interesave maqedonase dhe me kriza identitetare përballet LSDM-ja.
“Fillimisht janë të pakulturuar dhe e dyta atë që e kumtojnë në opinion, gjatë ditës e ndryshojnë disa herë. Supozoj se deri në mbrëmje do të jemi ndonjë parti tjetër file. Po, ne jemi parti pro maqedonase dhe kjo është ajo që neve na intereson. Ata si parti politike moti humbën identitetin e tyre dhe mënyrën e veprimit. Ky është problem i tyre. Mendoj se me këtë problem shumë shpejt do të përballen në zgjedhje.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM: Tradhtarët në Qeverinë Mickoski
Nga LSDM vazhdojnë me qëndrimet se tradhtarët më të mëdhenj të interesave maqedonase janë në qeverinë Mickoski dhe jo vetë ata, sikurse i adreson kryeministri dhe partia e tij.
“Gjysma e këtij koalicioni të tenderëve ka pasaporta bullgare. Ministra, deputetë, drejtorë, zyrtarë – të gjithë me pasaporta të kuqe të BE-së, dhe sillen si patriotë të rremë para popullit. Madje edhe familja e Mickoskit ka pasaporta bullgare. Familja e propagandistit të tyre kryesor mediatik dhe këshilltarit kryesor të marrëdhënieve me publikun të Mickoskit – Dragan Pavloviq Llatas – gjithashtu ka pasaportë bullgare. Dhe pikërisht ata që për vite me radhë kanë marrë dokumente bullgare për interesa personale, sot nuk duan të përfshijnë pakicat në Kushtetutë dhe të vazhdojë rruga evropiane e vendit.”, - u shpreh zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Partia e Filipçes, përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë e shikon si thelbësore, ndërkaq kundërshtimin e vazhdueshëm të Mickoskit për t’iu qasur ndryshimit e cilëson si alibi për të fshehur paaftësitë dhe politikat e tyre korruptive. Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë u riaktualizua ditë më parë nga ministrja e Jashtme bullgare Petrova Çamova në Bruksel në një takim të shkurtër me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Mucunski. Kryeministri Mickoski është shprehur se Qeveria do të zgjedhë rrugën më të gjatë, me dinjitet drejt BE-së dhe jo kompromiset, që sipas tij, mund të hapin probleme në të ardhmen.
MERAL ISMAILI
