Pekini në qendër të diplomacisë globale, Trampi dhe Xi diskutojnë krizën me Iranin
Në një kohë tensionesh të shtuara me Iranin dhe bllokadës në Ngushticën e Hormuzit...

Në një kohë tensionesh të shtuara me Iranin dhe bllokadës në Ngushticën e Hormuzit, presidenti amerikan Donald Tramp mbërriti në Pekin për bisedime me homologun kinez Xi Jinping.
Në fokus janë edhe marrëdhëniet tregtare, Tajvani dhe siguria globale, si dhe kriza në të gjithë Lindjen e Mesme. Trampi konfirmoi se do të diskutohet kryesisht për Iranin, por e minimizoi nevojën për ndihmë kineze.
“Nuk mendoj se na duhet ndihmë me Iranin. Do të fitojmë në një mënyrë apo tjetër.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Pekini tha se vizita duhet të kontribuojë në stabilitet dhe bashkëpunim mes dy fuqive. Kina mbetet një nga importueset më të mëdha të naftës iraniane.
“Kina është e gatshme të bashkëpunojë me ShBA-në, duke ruajtur frymën e barazisë, respektit të ndërsjellë dhe përfitimit të përbashkët, për të zgjeruar bashkëpunimin dhe menaxhuar dallimet.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun.
Takimi vjen pas përpjekjeve të Uashingtonit për të siguruar presion më të madh kinez ndaj Teheranit për ndalimin e luftës, ndërsa pasiguria rreth Ngushticës së Hormuzit vazhdon të ndikojë tregjet globale dhe çmimet e energjisë. Ministrat evropianë të energjisë mbajtën takim urgjent në Nikozia, me fokus mbrojtjen e ekonomisë dhe furnizimin e qëndrueshëm me energji.
“Qëllimi ynë është të ofrojmë një sistem energjetik rezistent, të aftë të përballojë goditjet e jashtme, duke siguruar njëkohësisht që energjia të mbetet e përballueshme.”, - u shpreh ministri i Energjisë i Qipros, Michael Damianos.
Ndërkohë, ShBA-ja shqyrton operacione të reja kundër Iranit nën emrin “Operacioni Çekani”, nëse armëpushimi dështon. Nga Uashingtoni shprehen se aktualisht armëpushimi është në fuqi dhe se ShBA-ja e ka nën kontroll Ngushticën e Hormuzit.
“E dimë se armëpushimi është në fuqi dhe se Irani nuk do të ketë armë bërthamore në një mënyrë apo tjetër. ShBA de facto kontrollon Ngushticën e Hormuzit dhe asgjë nuk do të kalojë pa lejen tonë.”, - deklaroi sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth.
Katari bëri thirrje për diplomaci të shtuar dhe paralajmëroi kundër rifillimit të konfliktit, ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të larta. Lufta kundër Iranit deri tani i ka kushtuar ShBA-së 29 miliardë dollarë dhe ende nuk ka asnjë epilog. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
