Spitali “8 Shtatori” në Shkup, promovohen sallat e reja operative

13.05.2026 16:00

Në spitalin “8 Shtatori” është promovuar blloku operativ me standarde të larta bashkëkohore....

Në spitalin “8 Shtatori” është promovuar blloku operativ me standarde të larta bashkëkohore, që do të jetë lehtësim për stafin shëndetësor dhe pacientët. Autoritetet njëherësh theksuan se është investuar edhe në rinovimin e objektit. 

“Këtu shohim standarde, të cilat, për fat të keq, deri dje i kemi parë vetëm kur kemi qenë jashtë shtetit tonë në institucione shëndetësore ku kemi admiruar që edhe ne të kemi standard siç sot i kemi në “8 Shtatorin”. Në rikonstruksionin e objektit nuk e shohim si të tillë, d.m.th. rikonstruim të mureve, por rikonstruim të krijimit të politikave në shëndetësi.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

“Në periudhën që vijon ka disa procedura formale që do të duhet të respektohen, dhe ajo është dezinfektimi i plotë i objektit, duke përfshirë trajnimin e punonjësve me pajisjet e reja që tashmë janë instaluar dhe pas rreth një ose dy muajsh do të kemi aktivitete të caktuara këtu. Ajo që nuk mund ta shihni tani, dhe që përfshin gjithashtu një pjesë të këtij rindërtimi, është rindërtimi i plotë i strukturës së çatisë, ku ndodhen dhomat e ajrit të kondicionuar, që ofrojnë ajër të trajtuar, të kondicionuar me të gjithë parametrat.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Drejtuesit e spitalit thonë se përballen me mungesë të kuadrit shëndetësor, ndërsa problem është edhe centralizimi i tepërt i shërbimeve shëndetësore në Shkup.

“Blloku operativ ndoshta do të mundësojë  përgjysmimin e listave të pritjes, por nëse kemi një numër të mjaftueshëm personeli, ka mungesë personeli në kujdesin shëndetësor, ka mungesë kushtesh, kushtet që shihni sot do të jenë vetëm një vlerë e shtuar, ne duhet të pajisemi me personel shëndetësor.”, - u shpreh drejtori i Spitalit “8 Shtatori”, Sinisha Stojanoski.

Për renovimin e sallave të operacionit në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit "8 Shtatori" janë investuar 12 milionë euro, ndërsa do të vihen në funksion pas dy muajsh, kur pritet të sigurohen të gjitha lejet e funksionimit dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor do të trajnohen për të punuar me pajisjet e reja. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)