Maqedoni
Komisioni i huaj për ndërhyrjet kardiologjike, konstatuan gjetje të dyshimta te 9 pacientë
14.05.2026 13:58
Aliu prezantoi rezultatet e punës së Komisionit të huaj për hulumtimin e ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiokirurgjike në Maqedoninë e Veriut...

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, prezantoi rezultatet e punës së Komisionit të huaj për hulumtimin e ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiokirurgjike në Maqedoninë e Veriut. Ai informoi se Komisioni i huaj ka konstatuar gjetje të dyshimta te 9 pacientë, lidhur me dyshimet për operacione të panevojshme.
“Nga gjithsej 13 lëndë, të analizuara në lidhje me dyshimet për operacione të kryera pa nevojë, ose për udhëzime të panevojshme për operacione. Komisioni i huaj, për 4 pacientë konstatoi se, citoj: Trajtimi i ofruar në tërësi, ka qenë mjekësisht i përshtatshëm, në kohë dhe në përputhje me standardet e pranuara të praktikës klinike në botë. Për 9 pacientë të tjerë, sipas ekspertëve të huaj, po citoj…thotë kështu: Dokumentacioni tregon rezultate të dyshimta gjatë evoluimit diagnostik, p.sh.: mospërputhje ndërmjet rezultateve angiografike nga koronografia dhe raportit të shkruar, pas së cilës, ka pasur indikacion të papërshtatshëm për procedura, qoftë endokrino-vaskulare apo kirurgjikale. Lidhur me këto raste, Komisioni vlerëson se, citoj: Disa aspekte të trajtimit dhe të menaxhimit me pacientin, kanë qenë nën standardin e pritur profesional dhe mund të kenë ndikuar negativisht në rezultatin klinik të tyre.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
“I gjithë dokumentacioni mjekësor që ky komision analizoi u digjitalizua dhe u skanua, së bashku me dokumentet që u shqyrtuan dhe videot, ose video dokumentacioni i ndërhyrjeve të para, koronografive në veçanti dhe angiografive, iu dorëzuan këtij komisioni ekspertësh. Më besoni, edhe pse ka kaluar një periudhë e gjatë kohore, është shumë e vështirë kur duhet të analizosh dhe në fund të japësh një sintezë.”, - theksoi drejtori i Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov.
Ministri i Shëndetësisë tha se raporti i Komisionit të huaj, së bashku me raportin e Komisionit vendas, do t’i dorëzohen Qeverisë, Prokurorisë, Odës së Mjekëve, Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor, Fondit Shëndetësor dhe Komisionit për Parandalim të Korrupsionit.
VLORA LATIFI TOPOJANI
