Rajon

Kamberi dhe dy deputetë nga Sanxhaku propozuan Rezolutë për dënimin e krimeve në Kosovë

14.05.2026 14:04

Kamberi dhe dy deputetë nga Sanxhaku propozuan Rezolutë për dënimin e krimeve në Kosovë

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, bashkë me deputetët nga Sanxhaku,  Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, kanë propozuar Rezolutën për dënimin e krimeve të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Kjo, sipas Kamberit, paraqet një thirrje për ballafaqim me të kaluarën dhe për pranimin e fakteve të vërtetuara nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë. 
 
"Rezoluta dënon krimet sistematike, vrasjet, deportimet, spastrimin etnik dhe dhunën e ushtruar ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë nga strukturat ushtarake, policore dhe paramilitare të regjimit të atëhershëm të Serbisë. Po ashtu, ajo rikujton masakrat në Reçak, Mejë, Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Izbicë, Podujevë dhe shumë vende të tjera, si dhe ekzistimin e varrezave masive në Batajnicë, Petrovo Selo, Peruçac dhe Kizhevak. Në këtë dokument kërkohet hapja e arkivave shtetërore dhe ushtarake, vazhdimi i hetimeve për personat e zhdukur dhe garantimi i së drejtës për të vërtetën dhe drejtësinë për familjet e viktimave.", thekson deputeti Kamberi. 
 
Rezoluta dënon gjithashtu mohimin e krimeve të luftës dhe glorifikimin e kriminelëve të dënuar. 
 
"Pranimi i së vërtetës dhe respektimi i viktimave nuk është dënim për qytetarët e Serbisë, por distancim nga politikat dhe strukturat përgjegjëse për krimet e kryera. Vetëm përmes pranimit të fakteve, drejtësisë dhe përgjegjësisë mund të ndërtohen: paqja e qëndrueshme, besimi dhe pajtimi ndërmjet popujve në rajon.", thekson Kamberi. 
 
Sipas tij, ballafaqimi me të kaluarën mbetet obligim moral, juridik dhe qytetërues për çdo shoqëri demokratike. Kamberi po ashtu ka propozuar formimin e një Komisioni të posaçëm, me qëllim të përcaktimit të së vërtetës në rastet e vdekjes së 135 shqiptarëve në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë gjatë viteve të 80-ta.
 
GYLTENE SINANI