Botë

Takimi Tramp - Xi Jiping, Ngushtica e Hormuzit në fokus të bisedimeve

14.05.2026 14:18

Presidentët e ShBA-së dhe Kinës zhvilluan në Pekin takimin bilateral të shumëpritur...

Presidentët e ShBA-së dhe Kinës zhvilluan në Pekin takimin bilateral të shumëpritur, në një moment tensionesh të larta globale dhe sfidash të shumta në marrëdhëniet mes dy superfuqive. Pas afro dy orësh bisedime, Donald Trampi i cilësoi diskutimet me Xi Jinping si “shumë të suksesshme”, pa zbuluar nëse në tavolinë ishte diskutuar edhe çështja e Tajvanit, një nga temat më sensitive mes Uashingtonit dhe Pekinit. Përveç Tajvanit, në fokus të takimit ishin edhe tarifat tregtare, rivaliteti teknologjik dhe zhvillimet e fundit lidhur me Iranin. Megjithatë, të dy liderët theksuan nevojën për stabilitet dhe forcim të bashkëpunimit mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
 
“Kemi pasur një marrëdhënie fantastike. Jemi kuptuar shumë mirë. Kur kishte vështirësi, i zgjidhnim shumë shpejt. Dhe do të kemi një të ardhme fantastike së bashku. Kam respekt të madh për Kinën dhe për gjithçka që keni arritur. Ju jeni një lider i shkëlqyer.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Xi Jinping deklaroi se ShBA-ja dhe Kina duhet të bashkëpunojnë dhe jo të përballen me njëra-tjetrën, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit global. Ai paralajmëroi se çështja e Tajvanit mbetet shumë e ndjeshme, ndërsa shtoi se në luftën tregtare nuk ka fitues.
 
“Bota po kalon ndryshime të përshpejtuara të papara dhe ka arritur në një udhëkryq të ri. A mund të punojnë Kina dhe ShBA-ja së bashku për t’u përballur me sfidat globale, duke sjellë stabilitet në botë dhe një të ardhme më të mirë për njerëzimin.”, - theksoi presidenti i Kinës, Xi Jinping.
 
Situata në Lindjen e Mesme dhe pasojat e krizës energjetike dominuan një pjesë të bisedimeve mes dy liderëve. Trampi dhe Xi ranë dakord se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur, ndërsa Uashingtoni kërkon nga Pekini një rol më aktiv për qetësimin e tensioneve në rajon. 
 
“Është në interesin e tyre ta zgjidhin këtë. Shpresojmë që të luajnë një rol më aktiv për ta bindur Iranin të heqë dorë nga ajo që po bën aktualisht në Gjirin Persik.”, - u shpreh sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
 
Nga ana tjetër, Irani e akuzoi ShBA-në për tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit dhe vlerësoi se bllokada amerikane rrezikon stabilitetin global energjetik. Nga takimi i BRIKS-it në Nju Delhi u bë gjithashtu thirrje kundër përdorimit të forcës ushtarake ndaj vendeve anëtare të organizatës.
 
“Ngushtica e Hormuzit vuan më së shumti nga agresioni amerikan dhe bllokada që ata kanë vendosur. Ngushtica është e hapur për anijet tregtare dhe ne nuk kemi krijuar asnjë pengesë.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abas Aragçi.
 
“Një nga vendet fqinje, anëtare e BRIKS-it, për fat të keq nuk tregoi rezultat të mirë gjatë agresionit ushtarak kundër Iranit dhe ua vuri territorin e saj në dispozicion agresorëve, Amerikës dhe Izraelit. Presim që kjo çështje të përfshihet në deklaratën përfundimtare të BRIKS-it.”, - theksoi zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Kazem Gharibabadi.
 
Takimi në Pekin vlerësohet si një nga kontaktet më të rëndësishme direkte mes dy fuqive në periudhën e fundit, në kushte të tensioneve të shtuara gjeopolitike dhe pasigurisë rreth krizës në Lindjen e Mesme, e cila po e shton më tej pasigurinë në marrëdhëniet Uashington - Pekin.
 
FARIJE DAUTI BAKIU