Botë

Sulme të reja masive ruse në Ukrainë, Zelenski kërkon presion ndërkombëtar

14.05.2026 14:33

Rusia ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha të kombinuara ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës...

Rusia ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha të kombinuara ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës, duke lëshuar qindra dronë dhe raketa drejt disa rajoneve të vendit. Nga sulmet raportohet për viktima dhe të plagosur, ndërsa dëme të mëdha janë regjistruar në Kiev, si dhe në pjesët perëndimore dhe jugore tëUkrainës. Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, deklaroi se Rusia po përpiqet të shkaktojë sa më shumë vuajtje, por theksoi se Ukraina nuk do të heqë dorë nga përpjekjet diplomatike dhe kërkon rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Moskës.
 
“Nuk heqim dorë nga përpjekjet diplomatike dhe shpresojmë që presioni ndaj Rusisë, së bashku me negociatat në forma të ndryshme, të ndihmojnë në arritjen e paqes. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë amerikanë dhe u jemi shumë mirënjohës.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Autoritetet ukrainase njoftuan se disa objekte infrastrukturore janë goditur dhe dëmtuar, ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë në zonat e prekura. Sulmet vijnë vetëm pak kohë pas një vale tjetër masive bombardimesh ku u përdorën rreth 800 dronë.
 
“Në rajonin Darnicki të Kievit kemi një ndërtesë banimi të dëmtuar, ku janë shkatërruar 18 apartamente. Operacionet e shpëtimit janë ende në zhvillim dhe po u ofrohet ndihmë të gjithë banorëve të prekur.”, - theksoi kryetari i Kievit, Vitali Klitçko.
 
Ndërkohë, qeveria e re hungareze e udhëhequr nga Peter Magyar dënoi ashpër sulmet ruse pranë kufirit me Ukrainën, duke shënuar një ndryshim të dukshëm nga politika më miqësore e qeverisë së kaluar ndaj Moskës.
 
“Ministrja hungareze e Punëve të Jashtme do të zhvillojë bisedime me ambasadorin rus lidhur me sulmet në rajonin ukrainas të Zakarpatisë, ku jeton një komunitet i madh hungarez.”, - u shpreh kryeministri i Hungarisë, Peter Magyar.
 
Më herët, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia do të vazhdojë të zhvillojë dhe modernizojë kapacitetet e saj bërthamore.
 
FARIJE DAUTI BAKIU