Botë
Pushteti dhe opozita në Shqipëri, konsensus për integrimin në BE
14.05.2026 15:10
Pas muajsh përplasjeje politike, mazhoranca dhe opozita iu drejtuan sallës së seancave plenare me konsensusin që rrallë e gjejnë....

Pas muajsh përplasjeje politike, mazhoranca dhe opozita iu drejtuan sallës së seancave plenare me konsensusin që rrallë e gjejnë. Palët u dakorduan për një rezolutë të përbashkët mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Një nga pikat kyçe të saj është mazhorancë-opozitë për integrimin dhe forcimin e dialogut politik. Dokumenti mori votat e të dyja palëve në Komisionin e Jashtëm, për t’i lënë Parlamentit aktin e fundit.
“Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik.”, - deklaroi kryetari i Komisionit të Jashtëm, Igli Hasani.
Ndërsa, zëvendëskryetarja e Komisionit të Jashtëm, Albana Vokshi, e cilësoi rezolutën e dakorduar si një produkt kryesisht të opozitës.
“Ky variant, kjo draft-rezolutë është mbi 90% kontribut i opozitës. Ja çfarë do të thotë kur opozita nuk përjashtohet. Ja produkti kur opozitës i jepet vendi dhe i lejohet kontributi… Rezolutë në formë shumë serioze dhe përmenden të gjitha problematikat që raporti i Qeverisë nuk i përmend. Ne kemi dalë përtej raportit që ka sjellë Qeveria.”, - theksoi zëvendëskryetarja e Komisionit të Jashtëm, Albana Vokshi.
Miratimi i kësaj rezolute vjen në një moment kyç për procesin e integrimit, teksa Shqipëria pret edhe vlerësimin për raportin IBAR, i konsideruar si një nga hapat përcaktues në ecurinë e negociatave me Brukselin.
LULJETA NDOKA
