Maqedoni

Ndërprerja e hetimit për mazutin, LSDM kërkon dorëheqjen e kryeprokurorit

14.05.2026 15:37

LSDM kërkon dorëheqjen e kryeprokurorit shtetëror, Nenad Saveski...

LSDM kërkon dorëheqjen e kryeprokurorit shtetëror, Nenad Saveski, pasi ishte përgjigjur bisedës me telefon të kryeministrit Mickoski për ndërprerjen e hetimit të lëndës për furnizimet me mazut në Centrali Termoelektrik - Negotinë. Sipas LSDM-së, Saveski është nën ndikimin e Mickoskit, duke marrë porositë e tij për rrjedhën e hetimeve.
 
“Për shkak të dyshimeve në lidhje me pavarësinë e Prokurorisë, LSDM nuk votoi për të. Këtë e thamë atëherë. Tani, të gjithë e shohin se kishim të drejtë. Ne e dimë paraprakisht se çdo gjë që lidhet me Mickoskin nuk është e pavarur. Kushdo që është fajtor, duhet të mbajë përgjegjësi. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Por, një kryeministër nuk mund të ndërhyjë në punën e Prokurorisë dhe t'i caktojë detyra asaj përmes telefonit.”, - deklaroi Aleksandar Sasha Dimitrijeviq nga LSDM.
 
VMRO aludon në ndikime të opozitës
 
VMRO-DPMNE i jep kahje tjetër arsyeve për ndërprerjen e procesit. Sipas tyre, kjo është bërë me ndikimin e Islam Abazit, kryetarit të Prokurorisë Themelore për Krim të Organizuar i dirigjuar nga treshja Ahmeti – Filipçe – Zaev.
 
“Ftojmë Bashkim Besimin nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, i cili është i afërm i ish-ministrit të Financave nga radhët e BDI-së, Fatmir Besimi, të thotë pse Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të rrijë mënjanë, kur është e qartë se ka pasur ndikim nga Islam Abazi në rastin e quajtur "Mazut"? Gjithashtu prokurorja Katerina Kolareviq të tregojë si e ka vërtetuar se nuk ka dëme në çështjen me vlerë 167 milionë euro, kur i gjithë publiku ka parë dhe dëgjuar për dëmet financiare dhe mjedisore, për të cilat EMV dorëzoi ankesë në nivelet më të larta gjyqësore?”, - theksoi Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.
 
Antikorrupsioni distancohet nga vendimi
 
Nisma për hetimin ishte ngritur nga përbërja paraprake e komisionit Antikorrupsion. Kryetari aktual Adem Çuçul nuk komenton ndërprerjen e hetimit, duke e cilësuar veten si jo kompetent. Hetimi për furnizimet me mazut, zgjati vetëm një vit dhe Prokuroria vendosi ta ndërpresë pasi nuk kishte konstatuar se të dyshuarit kishin kryer shkelje. Hetimi ishte hapur ndaj 13 personave, në mesin e të cilëve ishte edhe Asmir Jahoski, pronar i “Pucko Petroll”, Erxhan Sulkoski dhe Ratko Kapushevski pronarë të kompanisë “RKE”, si dhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski.
 
MERAL ISMAILI