Maqedoni

Vrasësi serik nga Kumanova, zgjerohet hetimi, akuzohet për katër krime të reja

14.05.2026 15:48

Vrasësi i parë serik nga Kumanova akuzohet për katër krime të reja....

Vrasësi i parë serik nga Kumanova akuzohet për katër krime të reja. Prokuroria ka publikuar detaje, hetimi po zgjerohet për të përfshirë raste të reja. Rasti i vrasësit serik me elemente femicide ka marrë kontekst të ri të hetimit. Sipas Prokurorisë, hetimi për vrasësin serik për herë të dytë është zgjeruar, duke iu shtuar edhe katër vepra të reja penale për të njëjtin person. Sipas prokurorit publik, Lubomir Llape, bëhet fjalë për dy vrasje të reja dhe dy tentime për vrasje. Personi nga Nagoriçani i vjetër i Kumanovës mësohet se ka vepruar në rrethin e tij lokal, ndërsa detajet e hollësishme të veprave të tija, do të zbardhen gjatë procesit gjyqësor, ndërsa masa e paraburgimit i është vazhduar. 
 
“Pasi kemi pranuar dëshmi të reja, hetimin e kemi zgjeruar kundër të njëjtit kryerës të veprave penale, edhe atë me dy vepra të reja penale për vrasje, dhe dy vepra penale për tentim vrasje. Në përgjithësi deri më tani ndaj tij qëndrojnë 6 vepra penale, nga të cilat 4 janë vepra penale të cilat janë kryer dhe dy vepra të tjera penale si vrasje, por të cilat kanë qenë në tentim. Atë që kisha dashur ta veçoj nga ajo që kam mësuar se bëhet fjalë për rast të parë ku hetimet kanë dalë dhe tregojnë se bëhet fjalë për një vrasës serik, i cili ka kryer edhe veprën penale femicid.”, - deklaroi prokurori publik, Lubomir Llape. 
 
Dy vrasje janë kryer në fillim të këtij viti, ndërsa dy të tjera janë kryer vitin e kaluar në muajin janar dhe qershor, ndërsa dy tentim vrasjet janë kryer njëra gjatë vitit të kaluar njëra më herët. Gjatë procesit të hetimeve janë kryer edhe tre ekzaminime, ku për njërën prej tyre tregohet se nuk bëhet fjalë për vdekje të dhunshme. Po ashtu janë kryer edhe tre hetime dhe raporte të ekspertëve psikiatrikë nga tre institucione të ndryshme dhe është konstatuar se personi është ligjërisht përgjegjës, ka qenë në vetëdije të plotë për veprimet e ndërmarra, dhe do të mund ta ndjekë procesin gjyqësor.
 
Nga Prokuroria hedhën po ashtu pretendimet se personi në fjalë ka qenë i burgosur edhe është lëshuar. Në ndërkohë sektori për Punë të Brendshme - Kumanovë ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike - Kumanovë kundër personit T.B. (26), i cili dyshohet për veprën penale “vrasje” ndaj personave J.A. dhe S.K. si dhe për “vrasje në tentativë” ndaj personave S.A. dhe R.T.   Përveç kësaj, SPB - Kumanovë ka dorëzuar kallëzim penal për veprën penale “punë e pakujdesshme në shërbim” kundër mjekëve konstatues të vdekjes, M.S. dhe D.D., punonjës në “Spitalin e Përgjithshëm” të Kumanovës.
 
FITIM KRYEZIU