Maqedoni
Qershori, njëri nga afatet e agjendës reformuese, Mucunski: Kërkohet pjekuri dhe unitet
14.05.2026 16:09
Fundi i qershorit duhet ta gjejë vendin me përmbushjen e disa kushteve, në mënyrë që të absorbohen mjetet nga BE-ja...

Fundi i qershorit duhet ta gjejë vendin me përmbushjen e disa kushteve, në mënyrë që të absorbohen mjetet nga BE-ja, e që kërkohet realizimi i reformave. Kur bëhet fjalë për të ardhmen evropiane, ministri i Jashtëm Mucunski fton opozitën maqedonase që ta lë anash politikën ditore dhe të dëshmohet e pjekur para reformave, sidomos në reformat që lidhen drejtpërdrejtë me Planin e Rritjes.
“Kur bëhet fjalë për agjendën reformuese, na duhet dialog politik i bazuar në argumente, institucione dhe respektim të ndërsjellë dhe jo në baza të konfrontimeve ditore që e fundosin besimin e procesit. Integrimi evropian nuk është vetëm parullë politike, kjo nënkupton reforma, nënkupton institucione funksionale, sundim të ligjit, pavarësi të gjyqësorit dhe shtet që punon sipas standardeve evropiane.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
Rokas: Ka aktivitete, disa kërkojnë dinamikë
Edhe eurambasadori Mihalis Rokas, duke përshëndetur reformat e realizuara deri më tani, potencon ato që duhet të bëhen deri në qershor. Më shumë progres sheh në raportin vjetor të KE-së për RMV-në.
“Ajo çfarë është më me rëndësi është agjenda reformuese ku punojmë ngushtë me Qeverinë dhe me minstri të ndryshme, me qëllim të mund të bëhet progres në disa sfera. E dimë se disa masave të detyruara iu kalon afati në fund të qershorit, pra ka shumë aktivitete, por më vjen mirë të ndajë mendim se kur të krahasohet me raportin e vitit të kaluar, mund të them se ka përshpejtim të procesit të reformave. Kështu që, shpresoj se në raportin vjetor do të mund të dëshmohet më shumë reforma dhe rezultate.”, - theksoi euroambasadori, Mihalis Rokas.
Hudolin: Presim, kemi edhe një muaj e gjysmë
Ndërkohë, edhe Komisioni Evropian është në pritje të këtij afati gjashtëjavor për realizimin e pikave të detyruara për vendin tonë.
“Është herët të thuhet, sepse ka edhe një muaj e gjysmë për shqyrtim. Bëhet fjalë për kombinim në shumë sektorë. Mund të them se ka përmirësim në këtë raport për këtë periudhë. Kur të shqyrtohet dokumenti, do të vlerësohen të gjitha.”, - u shpreh Stefan Hudolin nga Zyra e Komisionit Evropian.
Nga Instituti për Politika Evropiane i vlerësojnë si sukses reformat e realizuara deri më tani dhe presin implementimin e të tjerave, të cilën e thonë shpesh edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
