Rajon

Kos në Prishtinë, kërkoi t’i jepet fund krizës institucionale

15.05.2026 14:19

BE mbetet i përkushtuar ndaj rrugës evropiane të Kosovës...

Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj rrugës evropiane të Kosovës, ndërsa viti 2026 mund të jetë vit i Kosovës në raport me avancimin drejt BE-së, ka deklaruar në Prishtinë eurokomisionarja për Zgjerim, Marta Kos. Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Kos u kërkoi aktorëve politikë të Kosovës që t’i jepet fund periudhës së gjatë të krizës institucionale, pasi, siç tha ajo, shumë reforma të rëndësishme kanë mbetur pezull si pasojë e zgjedhjeve. 
 
“Thirrja ime shumë e qartë në këtë udhëtim është gjithashtu t’u kërkoj të gjithë aktorëve politikë këtu që të gjejnë një mënyrë për të rikthyer stabilitetin në administratën publike, në Kosovë. Do të ishte mirë që të keni funksionim stabil institucional, dhe siç e shihni, në Bruksel, viti 2026 mund të jetë viti i Kosovës, nëse do ta bëni këtë edhe njëherë. Dhe i kam premtuar z.Kurti, që sapo t’i keni të gjitha institucionet pas zgjedhjeve, do të kthehem. Dhe atëherë do të diskutojmë shumë, shumë tema të rëndësishme për Kosovën, por edhe të rëndësishme për Bashkimin Evropian.”, - deklaroi komisionarja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos.
 
Kurti: Kosova të avancojë në procesin eurointegrues
 
Kosova duhet të avancojë në procesin eurointegrues, theksoi me këtë rast kryeministri Albin Kurti, sipas të cilit, rreth 90% e qytetarëve e mbështesin anëtarësimin në BE.
 
“Gjetja e unitetit brenda BE-së për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtare, por kërkohet që edhe institucionet e BE-së të shtyjnë këtë unitet përpara. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të BE-së. Vakumi që lë BE-ja po synohet që të mbushet nga aktorë tjerë dashakëqij, të cilët i minojnë vlerat e BE-së dhe rrezikojnë sigurinë e përbashkët. Prandaj është përgjegjësi e të gjithë neve, që Kosova të avancojë në procesin e integrimit.”, - theksoi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
 
Kurti: Serbia, një fqinj agresor e agresiv
 
Sa i përket bashkëpunimit rajonal, Kurti tha se çelësi kryesorë është fqinjësia e mirë evropiane, por ai përkujtoi se Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në tri vitet e fundit, siç ishte ai në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe në kanalin e Ibër Lepencit në nëntor të vitit 2024, të dirigjuara e financuara nga Serbia.  
 
“E kemi një fqinj agresor e agresiv që të sulmon, në vend që të bashkëpunojë. Kjo është sfidë sa për sigurinë po aq edhe për bashkëpunimin rajonal.”, - u shpreh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
 
Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, gjatë qëndrimit në Prishtinë u prit edhe nga presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
 
GYLTENE SINANI