Maqedoni

MASh: 250 euro gjobë prindit, nëse fëmija shkakton dhunë

15.05.2026 14:36

Janevska rikonfirmon angazhimin për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Arsimin Fillor...

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, rikonfirmon angazhimin për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Arsimin Fillor, me të cilat prindërit e nxënësve që shkaktojnë dhunë do të gjobiten me 250 euro, veçanërisht në rastet kur të njëjtët refuzojnë bashkëpunimin me shkollën dhe institucionet përkatëse.
 
“Sekretari shtetërorë është në kontakt me deputetët, mendoj se në këtë moment janë në Kuvend, që t’i formësojnë propozimet, është vendim i sjellë tashmë, këto ndryshime do të bëhen. Prindi do të dënohet me 250 euro për çdo akt dhune të kryer nga fëmija, por edhe kur prindërit refuzojnë të bashkëpunojnë me shkollën dhe institucionet tjera.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. 
 
Drejtoresha e shkollës së Hasanbegut prononcohet për incidentin e para 4 ditësh
 
Propozimet për ndryshimet ligjore erdhën si rezultat i rasteve të fundit të dhunës ndaj bashkëmoshatarëve, siç ishte therja me thikë e para disa ditëve, e një nxënësi në hapësirat e shkollës “22 Nëntori” në Hasanbeg të Shkupit. Drejtoresha e shkollës më në fund theu heshtjen dhe me anë të një deklarate për media sqaroi rrethanat e incidentit, duke theksuar se shkolla ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme, në përputhje me procedurat ligjore dhe institucionale.
 
“Më datë 11.05.2026, gjatë procesit mësimor, në hapësirat e tualetit të meshkujve në shkollë, ka ndodhur një incident i rëndë, ku një ish-nxënës i shkollës ka ushtruar dhunë ndaj një nxënësi të klasës së nëntë. Menjëherë pas marrjes së informacionit, stafi arsimor ka reaguar me shpejtësi duke ofruar ndihmën e parë për nxënësin e lënduar dhe duke njoftuar organet kompetente, përfshirë Ndihmën e Shpejtë dhe organet e Policisë. Sipas informatave të deritanishme, ngjarja e ka gjenezën jashtë ambienteve të shkollës, ndërsa akti është kryer brenda objektit shkollor nga një ish-nxënës, i cili vitin e kaluar ka përfunduar mësimin në këtë shkollë me sukses dhe sjellje shembullore. Ai ka qenë i njohur për stafin dhe nxënësit si një i ri me sjellje korrekte dhe rezultate të shkëlqyera, çka ka bërë që hyrja e tij në shkollë të mos ngjallë dyshime.”, - deklaroi drejtoresha e ShFK “22 Nëntori”, Suzana Jakupi Kurbardoviq. 
 
Drejtoresha bën të ditur se në shkollë kanë qenë të pranishëm përfaqësues nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe institucionet komunale kompetente, të cilët janë informuar në mënyrë të plotë lidhur me rastin dhe dokumentacionin përkatës. Gjithashtu janë mbajtur mbledhje të Këshillit Arsimor dhe të Këshillit të Shkollës, ku janë shqyrtuar rrethanat e rastit dhe janë diskutuar masat e nevojshme për ruajtjen e sigurisë dhe mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor.
 
ARLINDA BAFTIU