Ekonomi
IShT zhvillon kontrolle në markete, Durmishi: Masa, nëse konstatohen shkelje
15.05.2026 14:41
Inspektorati Shtetëror i Tregut po zhvillon kontrolle në të gjitha zinxhirët e marketeve nga 10 deri më 20 maj....

Inspektorati Shtetëror i Tregut po zhvillon kontrolle në të gjitha zinxhirët e marketeve nga 10 deri më 20 maj. Nëse konstatohet se ka rritje të marzhave të fitimit, do të ndërmerren masa përkatëse, njoftoi sot ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. Sipas Durmishit, 30 ekipe janë në terren dhe nga katër ditët e para të kontrolleve është vërejtur një ulje e caktuar e çmimeve të frutave dhe perimeve. Për momentin, tha ministri, nuk ka bazë për të reaguar lidhur me çmimet e produkteve ushqimore.
“Ne nuk kemi bazë ligjore për të vepruar për momentin. Do ta analizojmë situatën deri në fund të muajit. Mund ta ulim TVSh-në për produktet ushqimore. Ashtu siç reaguam në sektorin e karburanteve, mund të reagojmë edhe në këtë segment. Kontrollet tona fokusohen te marzhat që vendosin prodhuesit, tregtarët dhe distributorët. Nëse shohim se në këto kushte krize dhe pasigurie ata veprojnë në mënyrë të papërshtatshme dhe i rrisin marzhat, do të reagojmë me masa përkatëse, ashtu siç vepruam herën e kaluar me masat administrative që kemi në dispozicion.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Maqedonia e Veriut, shtoi ai, është vend i varur nga importi, veçanërisht për produktet ushqimore, që do të thotë se çmimet ndikohen nga vendet prej të cilave importohen këto produkte.
“Çmimet e produkteve ushqimore të importuara nuk i përcaktojmë ne dhe as tregtarët tanë, por vendet prej të cilave i importojmë. Ne kontrollojmë vetëm nëse është rritur marzha. Brenda kuadrit ligjor kemi mundësi të veprojmë me mekanizmat që kemi në dispozicion nëse rriten marzhat te prodhuesit, tregtarët dhe distributorët.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Durmishi: Mund të ulet TVSh-ja për produktet bazë
Durmishi tha se Ministria po monitoron vazhdimisht situatën dhe do të vazhdojë me masa për stabilizimin e çmimeve përfshirë edhe mundësinë e uljes së TVSh-së për produktet ushqimore. Lidhur me inflacionin, tha se inflacioni në vend është deri në 5 për qind dhe se Qeveria po reagon me masa konkrete, përfshirë bashkëfinancimin e zejtarëve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme për të rritur produktivitetin dhe prodhimin. Ministria e Ekonomisë sot shpalli thirrje publike për mbështetje financiare të mikro, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe zejtarëve, për të cilët janë siguruar 11.34 milionë denarë.
Ndërkohë Ministria e Ekonomisë dhe Punës shpalli Thirrjen Publike për mbështetje financiare të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme dhe zejtarët, në kuadër të Programit për Zhvillimit e Sipërmarrësisë dhe Konkurrueshmërisë për vitin 2026. Për realizimin e kësaj mase janë siguruar 11.34 milionë denarë, e mbështetja do të realizohet përmes bashkëfinancimit të 40 për qind të kostove të dëshmuara për prokurimin e makinave dhe veglave të reja, por jo më shumë se 200 mijë denarë për çdo aplikues.
ARMEND MURSELI
