Maqedoni
Integrimi, Mickoski: Reforma, jo vetëm ndryshime kushtetuese
15.05.2026 14:56
Qeveria optimiste se do të realizojë agjendën reformuese deri në qershor, por me përfshirjen e LSDM-së.

Qeveria optimiste se do të realizojë agjendën reformuese deri në qershor, por me përfshirjen e LSDM-së. Kryeministri Hristijan Mickoski akuzoi opozitën se po pengon procesin me bllokimin e grupit të punës për kodin zgjedhor. Ai pret që opozita të reflektojë dhe të japë kontributin e saj, pasi, sipas tij, reformat nuk janë vetëm ndryshme në Kushtetutë.
“Shpresoj se do të mbizotërojë arsyeja dhe do të kthehen në grupin e punës dhe do ta miratojmë së bashku këtë ligj reformues, pasi që reformat nuk janë vetëm ndryshime në Kushtetutë. Unë e kuptoj këtë ind të butë të identitetit maqedonas në LSDM, e cila për momentin është udhëheqësia dhe më lehtë e kanë të përulen se sa të punojnë. Por, reformat për në BE nuk janë vetëm bullgarët në Kushtetutë, por ka edhe shumë punë thelbësore, të cilat do të duhet t’i përfundojmë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM: Mickoski, bllokues i reformave
LSDM akuzat e tilla të Mickoskit i quan fushatë kundër opozitës, kinse ata stopojnë reformat. Nga LSDM thonë se vetë Mickoski po bllokon procesin.
“Mickoski e ka shumicën në Kuvend. Reformat mund t’i sjellë vetë. Dëshmi për këtë është heqja e Qeverisë teknike, pa LSDM-në, pa konsensus dhe faktor ndërkombëtar. Mickoski nuk realizon reformat, pasi nuk e dëshiron Evropën, pasi Evropa sjell gjyqësor të pavarur, ndërkaq ai dhe banda e tij nuk duan prokurori të pavarur e as evropiane. Për këtë arsye nuk dëshiron përfshirjen e pakicave në Kushtetutë, pasi është çështje evropiane e jo bullgare. Andaj, çdo ditë vazhdon me gënjeshtra dhe kërkon alibi.”, thonë nga LSDM.
Kanë mbetur edhe 16 ditë deri në rrumbullakimin e agjendës reformuese. Sipas LSDM-së, për dy vite janë përmbushur disa pika nga 10 kyçe. Dhe sipas tyre, është gënjeshtër që brenda disa ditëve do të përmbyllen të gjitha.
MERAL ISMAILI
